2007-02-13 17:29:24

Shtohen katolikët në botë, posaçërisht në Afrikë e në Azi. Kjo është e dhëna kryesore e Vjetarit Papnor 2007.


(13.02.2007 RV) RealAudioMP3 Vjetari iu paraqit dje paradite Benediktit XVI nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe imzot Leonardo Sandri, zevendës-sekretar për çështjet e përgjithshme.
Vjetari i ri u hartua nën kujdesin e imzot Vitorio Formetit, drejtor i Zyrës Qëndrore të Statisikës së Kishës me një ekip bashkëpunëtorësh dhe u shtyp nga Tipografia e Vatikanit. Papa, si i falënderoi të gjithë ata që u kujdesën për botimin, u interesua për të dhënat e pasqyruara në Vjetar. Së shpejti vëllimi do të dalë në shitje ndër librari.
Sipas të dhënave të Vjetarit, mbledhur në vitin 2005, numri i katolikëve, në krahasim me vitin e mëparshëm, ka arritur në 1 miliard e 115 milionë, me një shtesë prej 17 milionësh. Kemi të bëjmë me një rritje 1,5%, shumë pranë 1,2% të rritjes së numrit të popullsisë botërore. Analiza gjeografike tregon se rritja e numrit të katolikëve vërehet më shumë në Afrikë (3,1% në krahasim me 2,5% e mëparshëm), në Azi (2, 71% në krahasim me 1,18%) e në Amerikë (1,2% në krahasim me 0,9 %). Në Evropë rritja është më e paktë.
Shtohet edhe numri i meshtarëve, i cili në vitin 2005 ka arritur në shifrën 406 mijë e 411, me një rritje prej 0,13% në krahasim me vitin 2004, si edhe ai i seminaristëve (nga 113 mijë e 044 që ishin në vitin 2004 në 114 mijë e 439 në vitin 2005). Rritja e numrit të seminaristëve vërehet më tepër në Afrikë (3, 46%), në Azi (2,90%) e në Amerikë (0,6%), ndërsa kemi një rënie prej 1,9% në Evropë e stabilitet në Oqeani. Në vitin 2005 ndër 100 kandidatë për meshtari në gjithë botën, 32 ishin amerikanë, 26 aziatikë, 21 afrikanë, 20 evropianë e 1 nga Oqeania. Së fundi, gjatë vitit 2006 Papa ka ngritur 12 Seli të reja Ipeshkvnore, 9 Seli Metropolitane dhe një Administratë Apostolike. Janë emëruar 180 ipeshkvij të rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.