2007-02-13 16:30:44

Policia e UNMIK-ut pranon se dy viktimat e së shtunës janë vrarë me plumba gome.


(13.02.07 RV)RealAudioMP3 Policia e UNMIK-ut në Kosovë ka pranuar sot se Mon Balaj dhe Arben Xheladini kanë vdekur nga plumbat e gomës. Komisari i policisë Stivën Kurtis dhe zëvendës-shefi i UNMIK-ut Stivën Shuk, kanë premtuar se do të hetohen me imtësi rrethanat e vrasjes, si dhe do të kontrollohen aktivitetet e lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkohë lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti sot është paraqitur për herë të parë para gjykatës.
Stivën Shuk është takuar me autoritetet shqiptare të Kosovës për të diskutuar se si të minimizohet shija e keqe që kanë lënë pas ngjarjet e së shtunës. Gjithë bota i ka sytë nga Kosova – tha Shuk për gazetarët në Prishtinë – të gjithë po shohin se si do të sillen shqiptarët. Shuk akuzoi vendet e tjera, të cilat preferoi të mos i përmendë me emër, se kanë dërguar autobuza me njerëz për të marrë pjesë në protestat e së shtunës. Sipas mediave vendase, disa prej tyre kanë ardhur nga Maqedonia. Këta kanë shërbyer si provokues.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer, do të vizitojë Kosovën të enjten, më 15 shkurt. Skefer do të bisedojë me Grupin Negociator, shefin e UNMIK ut, Joakim Ryker, si dhe me komandantin e KFOR it, gjeneralin Roland Kater. NATO-ja do të jetë e angazhuar në Kosovë edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar, ndërkaq do të mbikqyrë dhe do të stërvisë të ashtuquajturën Forcë e Sigurisë së Kosovës, siç propozohet në dokumentin e Marti Ahtisarit.


Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd Stiven Uërdsuërth ka deklaruar se ka pak hapësirë për kompromis ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në bisedimet konsultative për statusin e Kosovës.
"Shqiptarët kërkojnë pavarësinë, ndërsa serbët janë kundër. Mendoj se nuk është e mundur të arrihet kompromisi, prandaj pas kësaj faze të bisedimeve, zgjidhja përfundimtare do të gjendet para Këshillit të Sigurimit", ka thënë ambasadori për të përditshmen Blic. Uërdsuërth mendon se asnjëra palë nuk do të jetë plotësisht e kënaqur me zgjidhjen përfundimtare, por Britania e Madhe do ta mbështesë propozimin e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.