2007-02-12 18:17:51

Ministrat e jashtëm të BE-së dëgjuan Ahtisarin dhe bënë thirrje për shmangjen e tragjedive në Kosovë.


(12.02.07 RV) RealAudioMP3 Kryenegociatori i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari parashtroi sot planin e tij për statusin para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel. Ahtisari nuk bëri komente për protestën e së shtunës në Prishtinë, por pjesëmarrësit e tjerë shprehën shqetësim për gjendjen.
“Protesta nuk është një element pozitiv – komentoi Ministrja e jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik. Shpresoj që kjo t’u ketë kujtuar të gjithëve se sa e rëndësishme është të mbahet qetësia”. Ministri i jashtëm francez bëri gjithashtu thirrje për maturi, për të shmangur tragjedi të reja. Për serbët, gjithçka ka qenë e menduar dhe e orkestruar më parë. Ministrat evropianë i kërkuan sqarime Ahtisarit për planin. Greqia, Rumania, Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Polonia kanë shprehur rezerva për disa aspekte të tij. Në takim morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeadministratori Joakim Ryker.
Të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi edhe një herë se Rusia do të përdorë veton për të bllokuar çdo rezolutë mbi Kosovën, nëse ajo nuk është fryt i marrëveshjes ndërmjet palëve. Por Brukseli është i bindur se do të gjejë një gjuhë të përbashkët me Moskën. Sot, ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer ka deklaruar se do të punojë edhe me Rusinë për të shmangur përdorimin e vetos.
Përsa i përket Serbisë, siç theksoi shefi i politikës së jashtme, Havier Solana, ministrat dëshirojnë t’i japin asaj një sinjal pozitiv, në këmbim të bashkëpunimit të Beogradit në bisedimet për statusin e Kosovës. Gjithsesi, Solana kujtoi se për të rifilluar bisedimet për marrëveshjen e asociim-stabilizimit me Bashkimin Evropian, Beogradi ka nevojë për një qeveri, e cila nuk është formuar akoma. Në një deklaratë, ministrat e jashtëm evropianë kanë shprehur gatishmërinë për rifillimin e negociatave me Serbinë, me kusht që Beogradi të tregojë vullnet të mirë për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës.







All the contents on this site are copyrighted ©.