2007-02-12 13:06:02

Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot kushtuar Ditës botërore të të sëmurit, Benedikti XVI theksoi nevojën e mjekimeve qetësuese për njerëzit me sëmundje të pashërueshme.


(12.02.2007 RV)RealAudioMP3 Në fjalët që i paraprinë Engjëllit të Tënzot, Papa vuri në plan të parë mjekimet qetësuese për njerëzit me sëmundje të pashërueshme si dhe lidhjen ndërmjet Lurdës e vuajtjes njerëzore.
Është e nevojshme të mbështetet zhvillimi i mjekimeve qetësuese, që krijojnë mundësitë për një asistencë të plotë dhe u japin të sëmurëve të pashërueshëm ndihmën njerëzore dhe shoqërimin shpirtëror, për të cilat kanë aq shumë nevojë. Kjo ishte porosia kryesore e Papës. E në vijim Ati i Shenjtë u shprehu afërsinë e tij të gjithë njerëzve që vuajnë:
“Posaçërisht dëshiroj t’u shpreh afërsinë time shpirtërore dhe dashurinë time vëllezërve e motrave të sëmura, duke kujtuar sidomos ata që vuajnë nga sëmundje të rënda e të dhimbshme: atyre, në mënyrë të veçantë, u kushtohet vëmendja jonë në këtë Ditë botërore”.
Kështu u shpreh Papa dhe më pas shpjegoi se me këtë kremtim Kisha kujton ditën kur Zoja e Bekuar iu duk për herë të parë Shën Bernardetës. Ishte një ngjarje e mrekullueshme– shpjegoi Ati i Shenjtë - që e bëri këtë zonë franceze të Pirenejve, qendër botërore shtegtimesh e përshpirtërie të thellë mariane. Shenjtërorja e Zojës në Lurdë është bërë prej kohe cak i shtegtimeve të panumërta të të sëmurëve që – pohoi Benedikti XVI – duke u gjunjëzuar para Zojës së Bekuar, marrin zemër për t’i duruar vuajtjet e tyre e për t’i ofruar për shëlbimin e botës, duke i bashkuar me mundimet e Krishtit të kryqëzuar.
E pastaj Benedikti XVI shpjegoi se zemra e kësaj feste sivjet rrahu në Seul, kryeqytet i Koresë së Jugut, ku Ati i Shenjtë dërgoi, në emër të tij, kardinalin Havier Lozano Barragan, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit:
”I drejtoj atij dhe të gjithë atyre që janë mbledhur atje, - tha Ati i Shenjtë - përshëndetjet e mia më të përzemërta. Përshëndes edhe punonjësit e shëndetësisë të mbarë botës, i vetëdijshëm për rëndësinë e shërbimit që u bëjnë të sëmurëve në shoqërinë tonë”.
Papa kujtoi edhe se dje pasdite shumë të sëmurë e shtegtarë do të mblidheshin në Bazilikën e Vatikanit rreth kardinalit Kamilo Ruini, që do të kryesonte kremtimin eukaristik, duke njoftuar edhe praninë e vet:
“Në përfundim të Meshës Shenjte do të kem gëzimin, ashtu si vitin e kaluar, të bashkohem me të sëmurët, duke rijetuar atmosferën shpirtërore që ndjehet pranë Shpellës së Masabielës”.
Në përfundim Papa ia besoi mbrojtjes amtare të Zojës së Papërlyer të sëmurët e mbarë botës, që vuajnë në trup e në shpirt.Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë uroi, frëngjisht, që çdo i sëmurë të gjejë ndërmjet vëllezërve, ndihmën shpirtërore për të cilën ka nevojë në çastin e provës e forcën për ta shikuar Zotin me besim, i sigurtë se e gjithë jeta, e posaçërisht jeta e të sëmurëve, është në duart e Hyjit. Në gjuhën angleze, një përshëndetje e veçantë për drejtuesit e muzikës, ardhur nga SHBA për të përfaqësuar Shoqatën Kombëtare të muzikantëve kishtarë. Në polonisht, Papa i ftoi besimtarët t’i luten Virgjërës Mari, nën emërtimin “Shëndeti i të sëmurëve”, t’i ndihmojë të shohin gjithnjë në fytyrat e njerëzve që vuajnë, vetë fytyrën e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.