Sot Radio Vatikani përkujtoi 76-vjetorin e fillimit të transmetimeve.
(12.02.2007 RV)Janë fjalët e shqiptuara
më 12 shkurt 1931 nga Gulielmo Markoni, shpikës i radios dhe nga Piu XI, që i përuroi
transmetimet me radiomesazhin e tij drejtuar botës në praninë e Atë Gjuzepe Gjanfrançeskit
S.J., drejtor i parë i emitentes. Kanë kaluar 76 vjet që nga ajo ditë, po Radio
Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke
kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike e kulturore e duke rrokur
mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit
të Tënzot të së dielës, më 12 shkurt 2006, Benedikti XVI që do ta vizitonte Radion
pak ditë më pas, më 3 mars 2006, nënvizoi: “... me mjetin e radios e pastaj
të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më
shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”. Benedikti XVI është papa i gjashtë
që vizitoi Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore;
Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta
e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, nisur nga paraardhësi
i tij dhe Gjon Palit II. E Benedikti XVI gjatë vizitës, së tij, përuroi pllakën përkujtimore
kushtuar pikërisht “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku Papa i ardhshëm i pati dhënë
mbi 30 intervista Programit Polak pranë Radio Vatikanit.Sot Radio Vatikani, përveç
transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të
përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm
për 76-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës e të Kishës, të
gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve,
Lajmin e Mirë. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54
gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore.