80 të vdekur e mëse 165 të plagosur në Bagdad e lajme të tjera.
(12.02.07 RV) Së paku 80 veta
janë vrarë dhe mëse 165 janë plagosur në një atentat të trefishtë sot paradite
në Bagdad. Shpërthimet kanë ndodhur në tregun më të madh të qytetit, skenë e vazhdueshme
sulmesh. Atentatet ndodhën pas 15 minutave të heshtjes që qeveria kishte vendosur
për të kujtuar shpërthimin me të cilin u shkatërrua e ashtuquajtura xhami e artë e
shiitëve në Samarra, vitin e kaluar.
Irani ka deklaruar sot, nëpërmjet
zëdhënësit të ministrit të jashtëm, se është gati të ndalojë pasurimin e uraniumit.
Aktualisht kryenegociatori për programin bërthamor ka diskutuar në Bernë, një propozim
zviceran që ka për qëllim zgjidhjen e krizës në të cilën është zhytur Teherani. Ndërkohë,
autoritetet iraniane kanë mohuar akuzat amerikane, sipas të cilave qeveria iraniane
është përgjegjëse për furnizimin me eksploziv të kryengritësve shiitë në Irak. Për
zyrtarët amerikanë të mbrojtjes nga ky eksploziv kanë gjetur vdekjen mëse 170 ushtarë
amerikanë. Nga Brukseli, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan sot sanksionet
e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.
Bisedimet gjashtëpalëshe që po mbahen
në Pekin, e që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjes me Korenë e Veriut për
ndalimin e programeve bërthamore, kanë hyrë sot në ditën e pestë pa ndonjë rezultat.
Diplomatët janë në pritje të përgjigjes së Koresë së Veriut, por ka mundësi që diskutimet
të shtyhen edhe për një ditë.