2007-02-09 17:59:43

Vizione të ndryshme ndërmjet Rusisë dhe NATO-s në Sevilje të Spanjës e lajme të tjera.


(09.02.07 RV)RealAudioMP3 T’i kthehemi edhe një herë mbledhjes së NATO-s në Sevilje të Spanjës, për të specifikuar qëndrimin rus ndaj çështjeve të tjera të Aleancës, përveç Kosovës. Ministri i Mbrotjes, Sergej Ivanov sqaroi edhe se Moska nuk është dakord me NATO-n në disa fusha, që kanë të bëjnë me vendosjen e raketave amerikane në qendër të Evropës, me debatin e vjetër mbi një bazë ruse në Molldavi dhe me dështimin e ratifikimit të një traktati, që kufizon armët konvencionale, nga vendet e Paktit të Atllantikut. Ivanov theksoi impenjimin rus për të ndihmuar Aleancën në Afganistan, duke rishikuar borxhin prej 10 miliard dollarësh që vendi i ka Rusisë, por nënvizoi se marrëveshja për bashkëpunimin 5-vjeçar ndërmjet ish-fuqive të Luftës së Ftohtë nuk po shkon përpara ashtu siç duhet. Ministri rus i Mbrotjes, që shihet si pasardhës i presidentit Putin, propozoi një takim ndërmjet Rusisë dhe NATO-s në qershor në Shën Pjetërburg. Ai paralajmëroi se Rusia do të krijojë një “sistem strategjik”, që do të kapërcejë çdo lloj sistemi kundër raketave, por nguli këmbë se Moska nuk do të fillojë garën e armatimeve me SHBA-të.


Gjermania, si presidente e turnit e Bashkimit Evropian përshëndeti arritjen e marrëveshjes në Mekë, ndërmjet grupimeve rivale politike palestineze, Hamas dhe Fatah. Formimi i një qeverie të bashkimit kombëtar, nënvizoi ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer, është një hap në rrugën e drejtë për t’i dhunë fund dhunës kundër Izraelit e për të vazhduar dialogun e hapur nga presidenti palestinez, Abu Mazen me Tel Avivin. Kryeministër i qeverisë së re do të mbetet Ismail Hanijeh nga Hamasi, ndërsa në postin e ministrit të brendshëm dhe atij të jashtëm do të emërohen persona të pavarur.

Tensione të reja në zemër të Jeruzalemit. Sot në Sheshin e Xhamive pati ndeshje të ashpra pas lutjes së madhe që myslimanët bëjnë ditën e premte. Qindra palestinezë – që protestonin kundër vendimit të izraelitëve për të filluar punimet ndërmjet Murit të Lotëve e Portës së Magrebit – u ndeshën me forcat e policisë të shtetit hebraik. Pati disa të plagosur.
Izraeli parashikon të ndërtojë një urë të re metalike, nga Sheshi i Murit të Lotëve deri te Porta e Magrebit dhe sheshimin e një kodrine me interes të mundshëm arkeologjik. E kjo ngjalli reagimet e fuqishme të mjediseve palestinese, të botës islamike e të vendeve të moderuara arabe, si Egjipti e Jordania.
Bashkimi Evropian mban një derë hapur për Iranin, pavarësisht se mbështet plotësisht sanksionet e OKB-së kundër Republikës Islamike, për shkak të programit të saj bërthamor. Në kuadrin e këtij vizioni, ka mundësi të takohen të dielën në Mynih, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe negociatori iranian për programin bërthamor, Ali Larijani. Bisedimet zhvillohen ndërsa vazhdon në Mynih Konferenca evropiane për sigurinë, e cila ka filluar sot.









All the contents on this site are copyrighted ©.