Benedikti XVI mbështet plotësisht projektin e studimit dhe të prodhimit të vaksinave
për zonat e varfëra të Planetit, i cili iu paraqit sot nga ministrat e financave të
vendeve të industrializuara.
(09.02.2007 RV)“Nismë premtuese
e krijuese” – këto dy fjalë përdori Benedikti XVI për Projektin ‘Advenced Market Committent',
që iu paraqit sot paradite nga ministrat e financave të Italisë, Britanisë së Madhe,
Kanadasë dhe Rusisë, së bashku me mbretëreshën e Jordanisë dhe kryetarin e Bankës
Botërore. Projekti ka të bëjë me studimin dhe shpërndarjen e vaksinave në zonat e
varfëra të Planetit, ku miliona njerëz, ndërmjet të cilëve, më të ligshtit, fëmijët,
vdesin nga sëmundje që në vendet e pasura nuk e shkaktojnë më vdekjen. Papa, duke
nënvizuar meritat e projektit për parandalimin e sëmundjeve, shpjegoi se përmes tij
sigurohet edhe bashkëpunimi i institucioneve publike me sektorin privat në përpjekjen
për të gjetur mjetet më të frytshme për ndërhyrjen në këto zona: “Inkurajoj
me gjithë zemër përpjekjet tuaja për këtë program të ri dhe objektivin te tij për
progresin e kërkimeve shkencore që kanë të bëjnë me zbulimin e vaksinave të reja –
tha Papa - dhe në vijim theksoi se këto vaksina duhen siguruar me urgjencë,
për të shmangur rrezikun që miliona njerëz, përfshirë edhe fëmijë të panumërt, të
vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve ngjitëse, posaçërisht në zonat e botës që rrezikohen
më shumë. Në këtë epokë tregjesh të globalizuara, të gjithë jemi të shqetësuar për
ndryshimin e dukshëm të standarteve të jetesës ndërmjet vendeve të pasura, me nivel
të lartë teknologjik e vendeve të pazhvilluara, në të cilat varfëria jo vetëm që nuk
është zhdukur, por vijon të thellohet”. Papa e quajti nismën e ministrave të financave
“krijuese e premtuese” sepse synon të krijojë tregjet e ardhshme për vaksinat, me
qëllim që të shpëtohet jeta e mijëra fëmijëve të mitur.