Ambasadori i ri i Kolumbisë pranë Selisë së Shenjtë paraqiti letrat kredenciale.
(09.02.2007 RV)Në fjalimin drejtuar
diplomatit të ri kolumbian pranë Selisë së Shenjtë, Huan Gomex Martinez, Papa vuri
në qendër të vëmendjes krizën e rëndë humanitare, shkaktuar nga konflikti shumvjeçar
i brendshëm dhe shpresat për paqe e pajtim. Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin për
krizën e shoqëroro-politike që vijon në vendin latino-amerikan dhe u bëri thirrje
katolikëve të mbrojnë, në ligjet e shtetit, parimet e Ungjillit dhe të drejtën natyrore.
Kolumbia – kujtoi Papa – është vend i dalluar për identitetin e tij katolik. Kisha
vendase - siç e theksoi edhe ambasadori i ri – zhvillon një veprimtari të rëndësishme
në favor të pajtimit. Në çastet vendimtare të jetës kombëtare, ngre zërin për të shpjeguar
cilat janë bazat e pazëvendësueshme të progesit të vërtetë njerëzor e të bashkëjetesës
paqësore, duke i nxitur katolikët dhe njerëzit vullnetmirë të vijojnë ecjen në rrugën
e faljes dhe të përgjegjësisë së përgjithshme për vendosjen e drejtësisë. Në vijim
Benedikti XVI shprehu shqetësimin për situatën e ndërlikuar politike e shoqërore të
Kolumbisë, posaçërisht për problemet e mprehta që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dinjitetit
të njeriut, të jetës, të unitetit të familjes, të zhvillimit të drejtë ekonomik,
të cilësisë së jetës. Shenjtëria e Tij vuri theksin posaçërisht mbi plagën e rrëmbimit
të njerëzve, veprim që shkel hapur të drejtat e njeriut. Uroi pastaj të lirohen të
gjithë ata, të cilët në këtë çast nuk mund ta gëzojnë lirinë që u përket.Në përfundim
Ati i Shenjtë ripohoi se Kisha katolike do të vijojë ta mbrojë me të gjitha forcat
dinjitetin e njeriut. Prandaj u bëri thirrje laikëve të pranishëm në organet ligjvënëse,
në qeveri dhe në administratën publike, të përpiqen që ligjet të shprehin gjithnjë
vlera në përkim me të drejtën natyrore e në shërbim të së mirës së përbashkët.