2007-02-09 16:50:35

33 vjet më parë u pushkatua Dom Mikel Beltoja, martir i Kishës katolike në Shqipëri.


(09.02.2007 RV)RealAudioMP3 Secili prej atyre që ranë nën tehun e shpatës, gjithnjë të mprehur të diktaturës komuniste, mund të cilësohet me një epitet të veçantë. Njëri "martir i Rrëfimit", tjetri " i Pagëzimit", një tjetër akoma, i butësisë ungjillore e kështu me radhë. Në këtë ushtrí njerëzish, të armatosur me Rruzare që meritojnë epitetet më fisnike, Dom Mikeli është ushtari sypatrembur i Krishtit. I doli zot në gjyq idealeve të tij me një guxim të tillë, që e radhit në radhët e para të atyre pak njerëzve fisnikë, të cilët nga banka e të akuzuarit, u kthyen në akuzues. E pra nuk kishte pasur mundësi të përgatitej në vende të zgjedhura, ku qenë edukuar një pjesë e madhe e meshtarëve katolikë shqiptarë. Nuk i dha, prandaj, kulturës shqiptare, çka i dhanë shumë klerikë të tjerë. Nuk mund ta radhisim as ndër radhët e poetëve, as të enciklopedistëve, as të publicistëve e as të muzikantëve të shquar. E megjithatë ai meriton një vend nderi ndërmjet klerikëve të mëdhenj të Kishës katolike, për zellin e guximin e tij.
Ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë, kur kjo rrugë konsiderohej plot rreziqe, kur dukej pa të ardhme, kur furra ishte ndezur për të djegur në të, sipas shprehjes së diktatorit "çdo zakon prapanik e paragjykim fetar", e bashkë me doket e zakonet, edhe ata që do të guxonin t'i mbronin.
Dom Mikeli lindi më 1935 në fshatin Beltojë, në Shkodër. Sot do të ishte 72 vjeç, po të mos e kishin martirizuar. Ndoq shkollat shtetërore në vendlindje e njëkohësisht u përgatit për meshtar nga Imzot Çoba. Nisi, menjëherë pas shugurimit, shërbimin meshtarak ndër fshatra, në malësi e qytet, kudo iu kërkua nga të parët. Fliste thjeshtë, por në mënyrë bindëse; përzemërsisht, por me vendosmëri e sidomos, thoshte gjithnjë të vërtetën. E jetonte më parë, pastaj e predikonte Ungjillin. Një bashkëvëlla, që vuajti së bashku me të në birucat e sigurimit, shkruan: “Çdo njeri asht i përbâmë prej trupit e prej shpirtit. Po dom Mikeli ishte vetëm shpirt. Nuk dinte çka âsht fjala e keqe, as mendimi i keq. Mendote e flitëte vetëm mirë e për të mirë, aq sa shumkush besonte se kishte natyrë tepër fëminore”.
Meshën e fundit në një ndërtesë kishtare e tha në kishën e Barbullushit, të cilën ia mbyllën më 1967. Por kjo s'e trembi Dom Mikelin. Përkundrazi, ia ndezi edhe më tepër zellin, e s' pati gjë që ta ndalonte në shërbimin ndaj Zotit, i cili po kryqëzohej rishtas. Tashti Kishë për tê ishte gjithë Shqipëria.
Me shtat të lidhur e të fuqishëm, si bujk i vërtetë, s'do të ndjente kurrë lodhje, s'do të prehej kurrë. Do të gjindej ditë natë në shërbim, ditë natë pranë njerëzve që kishin nevojë për një fjalë të mirë, për një shpresë. Gjithnjë me sakramentet shenjte fshehë nën veladon, atje ku i rrihte zemra e mirë e e vendosur, deri te Kryqëzimi. Natyrisht nuk vonuan ta arrestonin. Ishte data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshme. Përballoi një gjyq herojsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës, sa kriminelët nuk mundën ta përmbanin veten. Si s' kishte ngjarë kurrë, nuk pritën të kthehej rishtas në birucën e vdekjes. Iu vërsulën aty, në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin me mjete primitive. Ia bënë trupin vrima-vrima me biza, duke tmerruar të madh e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjellur aty me detyrim. Ndërsa derdhej përdhe gjaku i martirit, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim, në dënim me vdekje. U pushkatua më 10 shkurt 1974. Ishte vetëm 29 vjeç. Njeri i thjeshtë, u bë i madh para Zotit e para njerëzve, sepse Zotit e njerëzve ia kushtoi gjithë vetveten, deri në flijimin e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.