2007-02-07 19:12:34

Trojka evropiane në Beograd kërkon konsensus mbi Kosovën.


(07.02.07 RV)RealAudioMP3 Trojka Evropiane është takuar me ministrin e jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, i cili ka theksuar se nëse do t’i jepet pavarësia Kosovës, Serbia do të ribëhet element paqëndrueshmërie në Ballkan. Sipas tij, është e nevojshme të shmanget imponimi i statusit të Kosovës, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Trojka evropiane është në Beograd për të nxitur formimin e qeverisë së re serbe. Brukseli shpreson që kjo qeveri të braktisë qëndrimin e ashpër të mbajtur deri tani ndaj planit të Ahtisarit. Në këmbim, Bashkimi Evropian është gati të rifillojë negociatat për asociim-stabilizimin me Beogradin, të ndërprera për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës.


Mbeten larg qëndrimet e SHBA dhe Serbisë për propozimin e Marti Ahtisarit mbi Kosovën. Dje, në Beograd, në takimet me autoritetet serbe, i dërguari amerikan Frenk Uisner, pavarësisht se i lavdëroi për vullnetin e tyre në vazhdimin e bisedimeve, shprehu opinione diametralisht të kundërta me serbët për planin e Ahtisarit. Uisner e quajti planin “historik, që mbron interesat e të dyja palëve”, ndërsa për serbët ai është “i papranueshëm”. Ndërsa Usiner është nisur për në Moskë, në Beograd erdhi sot Trojka evropiane dhe Ministri britanik për çështje evropiane, Xhef Hun. Ky i fundit, para vizitës ka deklaruar se statusi i Kosovës është çështje kyçe për të gjithë në rajon dhe ka mbështetur planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Ai ka përmendur për mediat, se propozimi i Ahtisarit parashikon autonomi të mëdha për serbët e Kosovës në shëndetësi, arsim dhe polici.


Kreu i Tryezës së parë të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Goran Svilanoviq ka deklaruar se plani i Ahtisarit, pavarësisht se nuk u pëlqen serbëve, është një hap i rëndësishëm përpara për të drejtat e serbëve në Kosovë. Në një intervistë për gazetën Dnevnik, Svilanoviq sqaron se serbët, sipas planit, fitojnë mbrojtjen primare dhe sekondare në nivelin komunal dhe arsimin sipas programeve serbe, me universitetin në Mitrovicë. Ai ka shprehur habi që Serbia nuk e pranon absolutisht këtë plan dhe ka vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të rëndësishme të BE-së mund ta pranojnë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës. Në këtë rast, sipas tij, "Serbia dhe veçanërisht serbët në Kosovë do të mbeteshin pa asgjë".







All the contents on this site are copyrighted ©.