2007-02-07 19:12:08

Solana kosovarëve: Ju duhet të punoni për statusin.


(07.02.07 RV) RealAudioMP3 Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana ka shkuar sot në Prishtinë dhe Beograd.
“Asgjë s’do të bëhet në vendin tuaj” u tha ai presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe anëtarëve të Ekipit Negociator për statusin, duke u lënë të kuptojnë se Bashkimi Evropian dhe Bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi mund të ndihmojnë, por puna kryesore në përcaktimin e statusit të Kosovës u takon vetë kosovarëve. Solana u prononcua edhe mbi kërkesën serbe për shtyrjen e fillimit të negociatave, parashikuar për 13 shkurt. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u tregua i gatshëm ta pranojë kërkesën serbe, pavarësisht se fjala e fundit i takon Marti Ahtisarit. “Gjëja më e rëndësishme – tha Solana – është që Beogradi të impenjohet”. Në Kosovë, Solana u takua edhe me përfaqësuesit e serbëve dhe me autoritetet e UNMIK-ut e të NATO-s. Nga serbët e Kosovës, “sinjale pozitive dhe inkurajuese” për negociatat Prishtinë-Beograd, komentoi zëdhënësja e Solanës, Kristinë Gajak.
Pasdite, Solana shkoi në Beograd ku u bashkua me pjesën tjetër të Trojkës evropiane në takimet me autoritetet serbe. Më hollësisht, informacioni i Rabije Ibrajt nga Prishtina…







All the contents on this site are copyrighted ©.