2007-02-07 19:10:12

Besimtarët e feve të ndryshme duhet të impenjohen për paqen e bazuar mbi respektin reciprok e drejtësinë. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Tomazi në OKB-në e Gjenevës.


(07. 02.2007 RV)RealAudioMP3 Imzot Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë, gjatë një takimi ndërfetar mbi mesazhin e Benediktit XVI për Ditën botërore të paqes 2007, theksoi: “Besimtarët e feve të ndryshme duhet të ripohojnë se paqja është dhuratë e objektiv për t’u arritur. Nuk duhet të dorëzohen përballë kulturës së konfliktit, nuk duhet ta pranojnë ndeshjen si të pashmangshme e luftën si kusht natyror. Pëkundrazi, duhet të kenë besim në vizionin e paqes, që është i pranishëm në të gjitha fetë tradicionale, me bindjen se Zoti i dhuron çdo njeriu dinjitetin e paprekshëm, nga i cili burojnë të drejtat dhe detyrat e barabarta për të gjithë si dhe solidariteti ndërmjet të gjithë burrave e grave”.
Duke reflektuar mbi mesazhin e Papës për Ditën botërore të paqes 2007 me temë “Njeriu është zemra e paqes”, imzot Tomazi vijoi të shpjegonte se të gjithë duhet të impenjohemi për bashkëjetesën paqësore të familjes njerëzore. Prandaj duhet pasur mirë parasysh se fenomeni i dhunës, që është bërë gjithnjë më i ndërlikuar në shekullin XXI, është një sfidë e pashembullt për bashkësinë ndërkombëtare.
Impenjimi për paqen – vijoi prelati – duhet të na nxisë ta sheshojmë hendekun ndërmjet të pasurve e të varfërve, t’i japim fund luftërave civile, terrorizmit dhe të gjitha konflikteve. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë dënoi haptazi qëndrimin që mbajnë mjetet e komunikimit ndaj dhunës dhe bëri thirrje për ndalimin e prodhimit dhe të përhapjes së armëve të reja, nga më të larmishmet, duke pasur mirë parasysh se miliona njerëz vuajnë pikërisht nga përdorimi i këtyre armëve. Janë pikërisht këta njerëz që ngrenë zërin për të kërkuar zbatimin e ligjeve humanitare e sidomos, paqen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor – tha në përfundim imzot Tomazi.
Kujtojmë se në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të bashkësisë së krishterë, asaj hebraike, myslimane e budiste.







All the contents on this site are copyrighted ©.