2007-02-07 19:13:22

Mati Logoreci në 66-vjetorin e vdekjes.


(07.02.2007 RV)Më 7 shkurt 1941 mbylli sytë Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, mësues, veprimtar i Rilindjes, nismëtar për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren.
Mati Logoreci lindi në Shkodër më 10 shkurt 1867. Në moshë të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes së vjetër shkodrane Parruca, emigruar prej kohe në Itali, që e dërgoi si llogaritar në Trieste. Atje, krahas punës, kreu edhe shkollën për mësues. Si u diploma, u kthye menjëherë në Shqipëri. Veprimtarinë pedagogjike e nisi më 1 maj 1889, duke hapur një shkollë në Prizren. Më 1899 hapi një shkollë të dytë, e cila më pas u shkri me të parën. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër, duke u bërë një nga mësuesët më të dashur për brezninë e re të fretërve, që përgatitej në bankat e kësaj shkolle.
Në vitin 1907 botoi në Trieshtë fletoren "Dashamiri"; më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë ‘Agimi’, së bashku me dom Ndre Mjedën e, po këtë vit, së bashku me Imzot Lazër Mjedën, hapi një shkollë nate në Shkodër. Njihet si autori i veprave: "Të ndodhmet e historisë së moçme"; “Historia e përgjithshme”; "Abetar", "Plotësimi i Abetarit"; "Fjalor i librit të leximit për moshën e njomë"; "Libri i mësuesit" etj.
Pas pavarësisë shërbeu si mësues në Tiranë dhe si nëpunës i arsimit në Shkodër. Më 1916 qe anëtar i ‘Komisisë Letrare Shqype’ themeluar në Shkodër. Mori pjesë edhe në ngjarje të tjera historike, si Kongresi i Lushnjes (1920), por kryesisht iu kushtua zhvillimit të arsimit.
Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë.







All the contents on this site are copyrighted ©.