2007-02-06 15:58:35

Benedikti XVI jep ndjesën e plotë për Ditën botërore të të sëmurit, të dielën e ardhshme.


(06.022007 RV)RealAudioMP3 Kremtimi i Ditës botërore të të sëmurit me temë “Kujdesi baritor për njerëzit me sëmundje të pamjekueshme”, që do ta ketë qendrën në Seul të Koresë së Veriut, të dielën, më 11 shkurt, do të krijojë, sipas traditës, mundësinë që besimtarët të fitojnë ndjesën e plotë. Benedikti XVI ua jep këtë të drejtë, sipas njoftimit të Kryependestarit, kardinalit Xhejms Frensis Staford.
Për ta fituar ndjesën e plotë, besimtari duhet t’i pranojë sëmundjet dhe vuajtjet që vijnë prej tyre me shpirtin e fesë, sepse kjo e shenjtëron njeriun. Këtë kujton kardinali Staford në krye të një komunikate lidhur me ndjesën e Papës për Ditën e 15-të botërore të të sëmurit.
Kryependestari flet për pasojat njerëzore dhe etike të sëmundjes. Lehtësimi që sjell përdorimi i ilaçeve ka një kufi – vëren Hirësia e Tij – e, me që në mënyrë të pashmangëshme vjen një kohë kur njeriu i afrohet fundit të rrugës së tij mbi këtë tokë, të sëmurëve nuk duhet t’u mungojë kujdesi as dashuria, në mënyrë që kalimi i tyre nga kjo botë, në botën e Atit qiellor të jetë plot me ngushëllim hyjnor. Ky është edhe kuptimi i ndjesës që jep Benedikti XVI në këto kushte.
Ndjesa e plotë do t’u jepet besimtarëve që marrin pjesë, në Seul ose në një vend tjetër të caktuar, në kremtimet për Ditën botërore të të sëmurit të dielën e ardhshme, pasi të jenë rrëfyer e kunguar e të jenë lutur sipas ndjetit të Atit të Shenjtë.
Ndjesa u jepet edhe besimtarëve që në këtë ditë nuk mund të marrin pjesë në kremtime, sepse u duhet të qëndrojnë pranë të sëmurëve, posaçërisht kur është fjala për të sëmurët në prag të vdekjes, të shtruar ndër spitale publike ose në shtëpi private. Por – nëvizon komunikata – përveç shërbimit fisnik e plot dashuri te koka e të sëmurëve, si të ishin te koka e vetë Krishtit, edhe këta besimtarë duhet të plotësojnë sa më shpejt të jetë e mundur, kushtet për fitimin e ndjesës.
Rasti i tretë është ai i besimtarëve që nuk mund të marrin pjesë në kremtimet e 11 shkurtit, sepse janë të sëmurë ose për arsye të tjera të kësaj natyre: edhe këta mund ta fitojnë ndjesën e plotë, në se e kanë shpirtin pa mëkat, në sa mendojnë t’i plotësojnë sa më shpejt që të jetë e mundur kushtet e caktuara, duke ia ofruar Hyjit, përmes Zojës “Shëndeti i të Sëmurëve” vuajtjet e tyre fizike e shpirtërore.
Një rast i veçantë është ai i ndjesës së pjesëshme, që Papa do t’ua japë të gjithë besimtarëve të cilët nga 9 deri më 11 shkurtin e ardhshëm do t’i luten Zotit për të sëmurët, posaçërisht për ata që janë me sëmundje të pamjekueshme ose në prag të vdekjes.
Kisha është gjithnjë pranë të sëmurëve në prag të vdekjes. Kështu shkruan Papa në Mesazhin për Ditën botërore të të sëmurit. Në Mesazh Benedikti XVI pohon se është e nevojshme të promovohen politika që krijojnë kushte në të cilat njerëzit e sëmurë rëndë mund ta presin me dinjitet vdekjen. Ndonëse shkenca ka përparuar shumë – shkruan Ati i Shenjtë - nuk ka arritur t’i shërojë të gjitha sëmundjet e, për pasojë, as t’i lehtësojë vuajtjet e njerëzve në prag të vdekjes. Prandaj Papa kërkon më shumë qëndra që i lehtësojnë këto vuajtje, duke i asistuar plotësisht të sëmurët e duke u siguruar edhe ndihmën shpirtërore, për të cilën kanë më shumë nevojë se kurrë në prag të shtegtimit të fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.