Ahtisari përjashton shtyrjen për paraqitjen e statusit të Kosovës.
(06.02.07 RV) Asnjë shtyrje
për paraqitjen e planit mbi statusin përfundimtar të Kosovës, para Këshillit të
Sigurimit të OKB-së, në fund të këtij muaji. Paralajmërimi i kryenegociatorit Marti
Ahtisari u drejtohet serbëve, pasi Beogradi bëri kërkesë për ta shtyrë të paktën dhjetë
ditë fillimin e bisedimeve mbi propozimin e paraqitur javës që kaloi. Në një intervistë
për gazetën britanike “Fajnenshëll Tajms”, Ahtisari sqaron qëndrimin e tij. "Nëse
dikush kërkon më tepër kohë, e pyes: a do të ndryshojë diçka në qëndrimin e tuaj?
Nuk mendoj se vonesat në këtë proces do të sillnin ndryshime", përfundon kryenegociatori
i OKB-së. Lidhur me qëndrimin e Grupit Kontaktit rreth pakos për statusin e Kosovës,
ish-presidenti finlandez, duke iu referuar Moskës, thekson se "mund të ketë disa nuanca
në mendimet mbi statusin e Kosovës, por Grupi vepron si një i vetëm". Rusia e përsëriti
sot qëndrimin e saj, duke nënvizuar se për Kremlinin është më e rëndësishme se ç’mendojnë
Beogradi e Prishtina mbi planin e Ahtisarit, më shumë se sa vendimet e vendeve të
tjera mbi të.
I dërguari amerikan për Kosovën, Frenk Uisner është takuar
sot në Beograd me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Ky i fundit i ka kërkuar
që bisedimet me kosovarët në Vienë, të parashikuara për 13 shkurt, të shtyhen për
dhjetë ditë. Tadiç i ka ftuar edhe ambasadorët e vendeve të Grupit të Kontaktit të
presin fillimin e punës së Parlamentit të ri serb, dalë nga zgjedhjet e 21 janarit.
Pas Beogradit, Uisner do të shkojë në Moskë për të diskutuar mbi Kosovën me autoritetet
ruse.