2007-02-05 16:12:41

Benedikti XVI dënon ashpër çdo gjest të ushtrimit të dhunës që njollos botën e futbollit.


(05.02.2007 RV)RealAudioMP3 Në ditën e salikimeve të inspektorit të policisë, Filipo Raçiti, kremtuar solemnisht sot paradite në katedralen e Katanies përballë mijëra njerëzve thellësisht të emocionuar, Benedikti XVI bashkoi zërin me zërin e tmerruar, por edhe solidar, të një vendi të tërë, duke i dërguar kryeipeshkvit të Katanies, imzot Salvatore Gristinës, një telegram ngushëllimi me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone. Duke kujtuar vrasjen tragjike të punonjësit 38-vjeçar të Policisë italiane, që ndodhi të premten e kaluar gjatë konfliktit të dhunshëm, pas ndeshjes së futbollit Katania-Palermo, Papa i këshilloi protagonistët e futbollit ta mbrojnë më me vendosmëri e ta respektojnë më shumë ligjin, duke favorizuar ndershmërinë, solidaritetin dhe konkurencën e shëndetshme. Dënimi i dhunës ndër stadiume nga ana e Benediktit XVI, pason qëndrimin mbi këtë ngjarje tragjike mbajtur të shtunën e kaluar nga vetë kardinali Bertone dhe kujtuar dje pasdite nga drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi. Edhe ‘L’Osservatore Romano’, në numrin e djeshëm, ndërmjet tjerash bënte thirrje që të merret vendimi i guximshëm për ndalimin ‘të paktën një vit’ të kampionatit të futbollit, i cili është quajtur “pavijon që nuk mund të qeveriset, sepse ia kanë zënë frymën skandalet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.