2007-02-05 16:13:00

Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI i ftoi besimtarët të përpiqen vazhdimisht për mbrojtjen e jetës dhe të institutit familjar.


(05.02.2007 RV)RealAudioMP3 Gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në ditën që Konferenca Ipeshkvnore Italiane ia kishte kushtuar mbrojtjes së jetës, Benedikti XVI i nxiti të gjithë besimtarët ta mirëpresin dhuratën misterioze të jetës, që nga zënia deri në përfundimin e saj të natyrshëm. Më pas Ati i Shenjtë ripohoi rëndësinë e mbrojtjes dhe të vlerësimit të familjes, djep i jetës dhe i çdo prirjeje. Papa uroi edhe që të ndërmerren nisma baritore e politike në mbrojtje të institutit familjar.
Është e nevojshme ta mirëpresim dhuratën misterioze të jetës: kjo ishte porosia kryesore e Benediktit XVI, i cili dje kujtoi në mënyrë të veçantë të gjithë ata që impenjohen për mbrojtjen e jetës nga zënia në përfundimin natyror:
“Jeta, që është vepër e Zotit, nuk i duhet mohuar askujt, as foshnjës më të vogël e më të pambrojtur që përgatitet të dalë në dritë, aq më pak kur parashikohet se do të lindë me gjymtime. Njëkohësisht, duke u bërë jehonë barinjve të Kishës në Itali, i ftoj të gjithë të mos i gënjejë mendja se mund ta zotërojnë jetën deri në atë pikë, sa ta përligjin ndërprerjen e saj me eutanazinë, duke u përpjekur ta maskojnë me velin e mëshirës njerëzore”.
Më pas Papa u ofroi besimtarëve një reflektim për familjen, djep i jetës dhe i të gjitha prirjeve, me rastin e “Javës të jetës e të familjes” organizuar nga dioqeza e Romës. E dimë mirë – tha Papa – se familja e themluar mbi martesën, përbën mjedisin natyror për lindjen dhe edukimin e fëmijëve e, prej këndej, për sigurimin e ardhmërisë së mbarë njerëzimit. Megjithatë - vërejti Shenjtëria e Tij – sot familja po kalon një krizë të rëndë e duhet të përballojë një mori sfidash.
“Duhet prandaj – bëri thirrje Ati i Shenjtë - ta mbrojmë, ta ndihmojmë, ta ruajmë e ta vlerësojmë, në unicitetin e saj të papërsëritshëm. Në se kjo detyrë u përket në radhë të parë bashkëshortëve, është edhe detyrë parësore e Kishës dhe e çdo institucioni publik ta mbështesin familjen përmes nismave baritore e politike, që i njohin nevojat reale të bashkëshortëve, të të moshuarve e të breznive të reja”.
Pikërisht atmosfera e qetë familjare – shtoi Papa – e ndriçuar nga feja dhe nga druajtja e shenjtë e Zotit, favorizon edhe lindjen e lulëzimin e thirrjeve në shërbim të Ungjillit. E ky reflektim e nxiti Benediktin XVI të kujtojë, pak ditë pas kremtimit të Ditës Botërore të Jetës Rregulltare, të gjithë ata që janë të thirrur për ta ndjekur Krishtin në rrugën e meshtarisë, ashtu edhe rregulltarët si dhe të gjithë njerëzit e përkushtuar. Më pas Papa i ftoi besimtarët t’i bëjnë bashkësitë e tyre vende bashkimi e shprese ku përtërihet, ndonëse ndërmjet shumë vështirësish, ‘Po’-ja e madhe e dashurisë së vërtetë dhe e realitetit të njeriut e të familjes sipas planit të shestuar nga Zoti që në zanafillë.
T’i lutemi Zotit që, përmes ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, ta shtojë respektin për shenjtërinë e jetës, të fitohet gjithnjë më shumë vetëdija për kërkesat e vërteta familjare dhe të bëhet përherë më i madh numri i atyre që kontribuojnë për të realizuar në botë qytetërimin e dashurisë”.Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa, duke përshëndetur shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, të ngrohur nga një diell gati pranveror – kujtoi në mënyrë të posaçme funksionarët e qeverisë së Sri Lankës, të impenjuar në rindërtimin e zonave të shkatërruara nga cunami. Më pas, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, falënderoi Zotin për veprimtarinë e rregulltarëve, duke uruar të shtohen thirrjet e të thellohet shenjtëria e atyre që ndjekin me përkushtim rrugën e këshillave ungjillore. Në përfundim – një përshëndetje në gjuhën italiane drejtuar një grupi shtegtarësh, ardhur nga vende të ndryshme, që jetojnë përvojën e bashkimit në kuvendin “Përvujtëria shenjte” të Faencës.







All the contents on this site are copyrighted ©.