2007-02-03 15:16:29

Lajme nga Kisha në Botë:


(04.02.2007 RV)RealAudioMP3 Vijon shtegtimi afrikan i Kryqit të Ditës botërore të rinisë dhe i ikonës të Nënës së Zotit, që filloi në prill 2006. Pas shtegtimit, nisur në Senegal, për të përshkuar më se njëzet vende afrikane, këto ditë Kryqi dhe Ikona arritën në Jug të Afrikës, ku u pritën me pjesëmarrje dhe entuziazëm të jashtzakonshëm. Simbolet e ngjarjes së madhe rinore, që Papa Gjon Pali II ua dhuroi të rinjve në vitin 1984 në Romë, ishin në qendër të takimeve të lutjes e të veprimtarive të tjera, të zhvilluara duke pasur në qendër të vëmendjes temën e shtegtimit: “Krishti vjen të shërojë tokën tonë, njerëzit tanë: parandaloje Sidën duke ecur në gjurmët e Krishtit, që shëron”.
Ipeshkvijtë e Filipineve kërkojnë transparencë dhe masa kundër varfërisë në zgjedhjet e 14 majit.
Prelatët kërkojnë edhe që votimet të jenë të besueshme e jo të kushtëzuara nga dhuna e nga skandalet, vërejtur gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2004-s. Ata theksojnë se duhet treguar shumë më tepër kujdes për lehtësimin e varfërisë në fshat e për zgjidhjen e problemit të banesave në qytet. Këto kërkesa ipeshkvijtë filipinas ia paraqitën qeverisë të përmbledhura në tre dokumenta, botuar pak ditë më parë në Manila, në përfundim të mbledhjes së tyre plenare.
15 mijë vetë morën pjesë në Lisbonë në “Marshimin për jetën”. Marshimi u organizua në prag të referendumit për depenalizmin e abortit, që do të mbahet më 11 shkurtin e ardhshëm, për t’i kujtuar edhe një herë shoqërisë portugeze se jeta njerëzore nis që nga zënia e se embrioni gëzon të gjitha të drejtat e njeriut, që fillojnë nga e drejta për të jetuar.
Kujtojmë se në Portugali aborti deri tani është i ndaluar me ligj. Nuk dënohet vetëm kur bëhet fjalë për raste përdhunimi, për rrezik jete të nënës ose arsye bindëse mjekësore. Në raste të tjera gratë që abortojnë mund të dënohen deri në tri vjet heqje lirie, ndërsa mjekët që praktikojnë abortin, deri në tetë vjet burgim.
Bashkësia e vogël katolike në Taxhikistan hapi një kanal të dytë zyrtar interneti. Adresa e kanalit të ri, i treti në Azinë qëndrore, është: www.church.tj. Ka për qëllim t’i japë një fytyrë më ndërkombëtare Kishës që po lind në këto vise të Azisë, ku kryen misionin Kongregata e Fjalës së Mishëruar, themeluar në Argjentinë në vitin 1984.
Në Darkhan të Mongolisë, salezianët hapën famullinë e parë katolike jashtë kryeqytetit, Ulan-Bator. Të pritur me dashamirësi deri nga regjimi komunist, rregulltarët po përgatisin 23 fëmijë, që do të pagëzohen për Pashkë.
Në Pakistan një grua e krishterë arrestohet për blasfemi.
Sipas organizatës Aleanca e Pakicave të Pakistanit (APMA) për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fanatikët islamikë e shpërdorojnë ligjin mbi blasfeminë për të sulmuar pakicat fetare në vend.Arrestimi i ri dëshmon për vijimin e padrejtësive kundër të krishterëve në Paksitan. Është fjala për burgosjen e një gruaje të krishterë. Quhet Marta Bibi dhe është arrestuar me akuzën për blasfemi. Sipas njoftimit të Agjensisë AziaNjuz, që citon denoncimin e Organizatës jo qeveritare ‘Aleanca e Pakicave të Pakistanit’, akuzat janë të paqarta. Gruaja, e cila së bashku me burrin e saj drejton një ndërmarrje mjetesh ndërtimi, kishte bashkëpunuar falas për ngritjen e xhamisë Sher Rabbani. Pas një grindje të rastit, tre burra të kantierit nisën ta godasin gruan, që mundi t’u shpëtonte nga duart e të largohej vetëm pas ndërhyrjes së disa kalimtarëve. Po atë natë, hoxha i xhamisë e akuzoi Martën se kishte fyer profetin Muhamet. Pastaj arriti policia, që e arrestoi gruan mbi bazën e nenit 295 C të ligjit kundër blasfemisë, i cili parashikon dënime tepër të rënda, deri në dënimin me vdekje. Sipas APMA kemi të bëjmë me një shpërdorim të hapur, prandaj Gjykata e Lartë në vend duhet të ndërhyjë e ta rishikojë ligjin, i cili vijon të përdoret nga ekstremistët islamikë për të persekutuar pakicat fetare dhe të gjithë ata që marrin guximin t’u kundërshtojnë. Ndërkaq senatori Muhashid Hysen Sijed, sekretar i përgjithshëm i partisë së mazhorancës ‘Lidhja myslimane e Pakistanit’, njofton se ligji do të rishikohet pas zgjedhjeve të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.