2007-02-03 15:15:57

Ipeshkvijtë çekë u përgjigjen akuzave për prifërinjtë kolaboracionistë


(04.02.2007 RV)RealAudioMP3 Në Republikën Çeke është ndezur debati për priftërinjtë që kanë bashkëpunuar me regjimin komunist. Sipas historianëve, gjatë viteve të persekutimit kundër Kishës në Çekosllovaki, në çdo dhjetë meshtarë, një ka pasur marrëdhënie me policinë sekrete komuniste. Ndërmjet bashkëpunëtorëve me regjimin komunist këto ditë është kujtuar edhe emri i kryetarit të Konferencës ipeshkvnore, imzot Jan Graubner, kryeipeshkëv i Olomukut.Ipeshkvijtë janë përgjigjur me një notë, në të cilën shpjegojnë se Kisha, mbi të gjitha, ka qenë e persekutuar, ka qenë viktimë. Në se është e vërtetë që disa nga përfaqësuesit e saj bashkëpunuan nga frika, nuk duhet harruar se shumica e pagoi me jetë besnikërinë ndaj Krishtit. Është për t’u çuditur – shënohet në notë – që mjetet e komunikimit sulmojnë njerëz, të cilët në fund të fundit kanë qenë viktima, ndërsa tolerojnë pa fjalë, praninë e komunistëve të djeshëm ose të trashëgimtarëve të tyre në parlament. Ipeshkvijtë çekë njoftojnë edhe se Kisha po merret me dosjet e meshtarëve bashkëpunëtorë, duke i detyruar personalitetet e rëndësishme të japin dorëheqjen. Në vitin 1990, një vit pas shembjes së regjimit, Episkopati çekosllovak pati organizuar një shtegtim pastrimi në Shenjtëroren e Velehradit për të gjithë ata që e ndjenin veten të njollosur me fajin e bashkëpunimit. Njerëz të tillë janë këshilluar vazhdimisht ta pranojnë publikisht fajin dhe të kërkojnë falje. – E cila kategori e popullsisë e ka bërë një gjë të tillë kaq shpejt - në një vend ku pak njerëz patën guximin të mos e pranojnë bashkëpunimin me sigurimin, pa marrë parasysh se kjo mund t’i kushtonte tepër shtrenjt, më shtenjt se vetë jeta? – pyesin ipeshkvijtë dhe në përfundim i ftojnë mjetet e komunikimit të tregojnë më shumë kujdes kur japin informacione për dosjet e të sigurohen mirë që këto informacione të jenë të vërteta.







All the contents on this site are copyrighted ©.