2007-02-03 15:16:47

5-vjetori i vizitës ‘Ad Limina Apostolorum’ i Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë.


(04.02.2007 RV)RealAudioMP3 Pesë vjet më parë e pikërisht më 4 shkurt 2001, në Vatikan përfundoi Vizita “ad Limina Apostolorum” e Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë tek Papa Gjon Pali II. Kujtojmë se Vizitat ‘ad Limina’ apo tek Varret e Apostujve, gjatë të cilave ipeshkvijtë e mbarë botës takohen me Papën, kryhen çdo pesë vjet. Kanë kaluar pra pikërisht pesë vjet dhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë gjatë vitit 2007 do të bëjë vizitën e dytë, që do të shënojë vazhdimësinë e një tradite të krijuar e të mbrojtur me gjak martirësh.
E pikërisht këtë kujtoi Gjon Pali II pesë vjet më parë, gjatë Meshës përfundimtare të kremtuar në Vatikan. Papa falënderoi Kishën shqiptare për besnikërinë ndaj Krishtit në kohë të vështira dhe i porositi prelatët të vënë në qëndër të çdo veprimtarie Krishtin, që u dha forcë martirëve shqiptarë t’i bëjnë ballë torturave më mizore, ushqeu shpresën e të krishterëve në kohë që dukeshin pa kurrfarë shprese, u dha forcë të ringjallen pas përvojës së rëndë të komunizmit ateist e që, prandej, nuk mund të mos i ndihmojë sërisht për të realizuar planet e së sotmes e të së ardhmes.
Pastaj kryetari i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, Kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, Imzot Massafra, i dhuroi Atit të Shenjtë një Kryq argjëndi, punuar me filigranë, dhe projektet për ndërtimin e kuvendit të murgeshave klarise “Shtëpia e paqes”.Pas pesë vjetësh “Shtëpia e Paqes” është realizuar në një vende tejèt simbolik, në zemër të Shkodrës, në shtëpinë ku dikur ishte noviciati françeskan, më pas dega e punëve të brëndshme ku u torturuan mizorisht kundërshtarët e regjimit, ndërmjet të cilëve pothuajse të gjithë klerikët shqiptarë. Tani kjo shtëpi është përsëri vend urate. Por pranë e pranë Kapelës, është ruajtur edhe një mjedis burgu, muze që të kujton porosinë e Papës për të mos e harruar të kaluarën e për të kujtuar sidomos sa e madhe është ndihma e Krishtit, i cili i mbështetë dishepujt e vet ta shpallin fjalën e tij edhe në rrethana të vështira e nganjëherë armiqësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.