2007-02-02 17:13:32

U publikua kalendari i veprimtarive të Papës për muajt e ardhshëm.


(02.02.2007 RV)Vizita baritore në një famulli romake dhe një shtegtim dyditor në Pavi e Vigevano të Lombardisë me rastin e 750-vjetorit të themelimit të Urdhërit agostinian janë dy takimet papnore që spikasin muajt e ardhshëm, përveç kremtimeve të Krezhmëve e të Pashkëve. Kalendari i veprimtarive të Atit të Shenjtë u publikua sot nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore.
Kremtimi i parë krezhmor do të mbahet të mërkurën, më 21 shkurt: Benedikti XVI do të kremtojë Meshën Shenjte në Bazilikën romake të Shën Sabinës, ku do të bekojë hirin edhe do të përhijë besimtarët.
Nga data 25 shkurt e deri të shtunën, më 3 mars, Papa dhe Kuria Romake do të ndërpresin çdo veprimtari, për të marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve. Nga fundi i të njëjtit muaj, Papa do të vizitojë Kishën romake të Shën Feliçitës, famullia e parë e Romës që do të presë Benediktin XVI në vitin 2007. Katër ditë më pas Ati i Shenjtë do të takohet me të rinjtë e dioqezs së Romës për të kremtuar me ta liturgjinë pendestare. Pas riteve të Javës së Madhe dhe Meshës së Pashkëve më 8 prill, është për t’u kujtuar Mesha me rastin e 80-vjetorit të Benediktit XVI, në program për të dielën, 15 prill si dhe vizita baritore në Pavi e Vigevano, ndërmjet së shtunës, 21 prill e së dielës, 22 prill. Kujtojmë se që nga viti 1327 Selia e Shenjtë ia ka besuar Urdhërit agostinian reliket e Ipeshkvit të Iponës dhe vizita e Papës do të mbyllë kremtimet kushtuar figurës së Shën Agostinit. Duhen kujtuar edhe tre Lumnimet e miratuara nga Papa për këtë periudhë: do të kremtohen të tre në Itali e pikërisht në Torino, Kastelamare di Stabia e Rimini, përkatësisht më 14, 15 e 29 prill.







All the contents on this site are copyrighted ©.