2007-02-02 19:02:52

Peshkopi ortodoks i Kosovës në Bruksel kundër pavarësisë.


(02.02.07 RV) Ndërsa i dërguari i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari paraqiste sot propozimin e tij për statusin e Kosvës në Beograd e Prishtinë, kreu i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, peshkopi i mirënjohur Artemije, ndodhej në Bruksel, ku është takuar me Përfaqësuesin e veçantë të Bashkimit Evropian për Kosovën, Stefan Lehne. Pas takimit, peshkopi, si çdo politikan i mirëfilltë, mbajti edhe një konferencë shtypi, ku me ndihmën e një përkthyesi, u tha gazetarëve se “propozimi i Ahtisarit është i papranueshëm për serbët, pasi presupozon ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe si i tillë, nuk do të pranohet kurrë as nga serbët e Kosovës e as nga shteti serb”. Zgjidhja, sipas tij mund të gjendet vetëm me bisedime dhe kompromis, por nga ana tjetër, kujton mbështetjen që Rusia mund t’i japë Serbisë me anë të një vetoje në Këshillin e Sigurimit, mbi një status që nuk do t’i pëlqejë Beogradit.
Artemije paralajmëroi Evropën se nëse Kosova bëhet e pavarur, edhe vende të tjera në Evropë, në të njëjtat kushte, mund të kërkojnë pavarësinë. Nga veladoni i zi nxorri për gazetarët një hartë ku ishin shënuar të gjitha pikat e krizës në Evropë, rreth 20 lëvizje për pavarësinë, nga Irlanda në Spanjë e nga Gjeorgjia në Rusi. Ngjitur me hartën edhe një letër me titull “Zgjohu Evropë!”, me të cilën peshkopi ortodoks serb u thotë vendeve evropiane të mendojnë se ç’mund të bëhet kontinenti pas dhjetë vjetësh, nëse të gjitha këto lëvizje do të duan të ndjekin shembullin e Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.