2007-02-02 17:13:22

Një jetë e shkrirë për t’u komunikuar të gjithëve se Krishti është gjithnjë me ne: kështu e kujtoi Papa kardinalin spanjoll Ortas në Meshën e salikimeve.


(02.02.2007 RV) Salikimet për kardinalin spanjoll Antonio Maria Havier Ortas, prefekt nderi i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që vdiq dje në Romë në moshën 87 vjeçare, u kremtuan sot paradite në Bazilikën e Vatikanit.
Dje, në dy telegrame ngushëllimi, Papa e kujtoi kardinalin salezian si Bir të devoçëm të Shën Gjon Boskut, si bari bujar, plot dashuri për Krishtin e besnikëri për Pasardhësin e Shën Pjetrit,
Ndërsa sot, në homelinë e salikimeve, e përshkroi kardinalin Ortas, që mbylli sytë pikërisht në ditën kur kremtohej Shën Gjon Bosku, si Bari besnik e bujar, gjithnjë i gatshëm e i përzemërt. Papa kujtoi se kardinali spanjoll, i lindur në vitin 1921, që në rini e gjatë gjithë jetës, spikati gjithnjë për shpirtin e tij misionar:
“Duke ndjekur shembullin e Dom Boskut, deshi ta jetonte thirrjen e tij prej saleziani në lidhje të drejtpërdrejtë me rininë në toka misioni, por Provania hyjnore e thirri të kryente detyra të tjera. U bë, kështu, apostull në mjediset e universitetit e të Kuries Romake, pa e humbur kurrë rastin për të zhvilluar një veprimtari të dendur shpirtërore në mjediset teologjike e kulturrore, posaçërisht duke gjallëruar grupe profesorësh e rregulltarësh e si kapelan ndërmjet universitarëve”.Vdekja nuk e tremb njeriun që jeton në Krishtin - tha Papa – dhe theksoi në mënyrë të veçantë fragmentin e Ungjillit të Shën Gjonit, në të cilin Jezusi pohon: “Unë jam buka e gjallë e zbritur nga qielli. Kush e ha këtë bukë, do të jetojë në amshim!” E kjo na ngushëllon, në sa lutemi për shpirtin e një meshtari që te Eukaristia gjeti qëndrën e jetës së vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.