2007-02-02 17:13:12

Benedikti XVI kremton në Vatikan me rregulltarët e rregulltaret festën e Jetës Rregulltare.


(02.02.2007 RV)RealAudioMP3 Më se 137 mijë meshtarë, rreth 768 mijë motra rregulltare e 48 mijë murgesha; krah për krah tyre, 3. 600 anëtarë të Instituteve shekullare, 520 diakonë të përhershëm, 280 anëtarë të Instituteve shekullare laike. Kjo është ‘harta’ e rregulltarëve dhe e rregulltareve që jetojnë e kryejnë veprimtarinë e tyre misionare në botë. Për një milion rregulltarët, burra e gra, sot ishte ditë feste: më 2 shkurt, në përkim me solemnitetin liturgjik të Paraqitjes së Krishtit në tempull, kremtohet edhe Dita e Jetës rregulltare. Festa arriti kulmin sot pasdite, në orën 18. 30, kur Benedikti XVI u takua me rregulltarët e rregulltaret në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku u kremtua Mesha solemne, e paraprirë nga kremtimi i bekimit të qirinjve e nga proçesioni. Ritin e kryesoi prefekti i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, kardinali Franc Rodè.
Në përfundim të kremtimit, duke iu drejtuar rregulltarëve në të gjithë botën, Benedikti XVI u kujtoi natyrën e dëshmisë së tyre ungjillore. Për vetë natyrën e saj - nënvizoi Papa - jeta rregulltare është përgjigje e plotë dhe përfundimtare, pa kushte e plot pasion që i jepet thirrjes së Zotit. E kur heq dorë nga gjithçka tjetër, për të ndjekur Krishtin, kur përballon për dashiuri të Tij çdo flijim, atëherë edhe rregulltari, ashtu si Mësuesi Hyjnor, bëhet shenjë kundërshtie, sepse mënyra si mendon e si jeton shpesh herë është në kundërshtim të plotë me logjikën e botës. Zgjidhet Krishti. E pikërisht një guxim i tillë prek thellë shumë njerëz që kanë etje për të vërtetën, të cilët tërhiqen fuqimisht nga ata që nuk ngurrojnë të japin jetën për çështjen në të cilën besojnë. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë dhe në vijim i porositi të pranishmit të mos e harrojnë kurrë se jeta rregulltare është dhuratë hyjnore e se është Zoti ai që i prin, sipas planeve të tija.
Liturgjia e sotme është posaçërisht sugjestive, sepse përshkohet nga simboli i dritës. Proçesioni i qirinjve, në fillim të kremtimit, simbolizon Krishtin, që është dritë e botës. Krishti shkëlqen në natën e historisë duke ndriçuar çdo njeri që kërkon të vërtetën – tha në përfundim Papa dhe i ftoi rregulltarët ta bëjnë të ndriçojë këtë dritë me jetën e tyre, në mënyrë që kudo në botë të vezullojë një rreze që del nga Zemra e Krishtit.
Para se të niste kremtimin në Bazilikën e Shën Pjetrit, e ftuam Kardinalin Rodè në mikrofonin e Radios sonë për të na folur për praninë e rregulltarëve në botë:
Përgjigje: - Është dëshmi guximtare e krijuese në botën e sotme. Kjo dëshmi është njëkohësisht edhe sfidë përballë njeriut bashkëkohor. Në të katër anët e botës, rregulltarët e rregulltaret u përgjigjen, me jetën e tyre të dhuruar për dashuri, shpërthimeve të vazhdueshme të urrejtjes e të dhunës, që përflakin tokën tonë. I përgjigjen, me pastërtinë e tyre shpirtërore, hedonizmit dhe egoizmit që vijon të përhapet kudo. Me varfërinë dhe dashurinë për të varfërit, të vegjlit e të braktisurit, i japin përgjigje konkrete etjes për para e për pushtet që pushton sot shpirtrat e shumë njerëzve. Me dhuratën e nënshtrimit të tyre, të zgjedhur me vullnet të lirë, i përgjigjen relativizmit dhe individualizmit që rrethojnë shoqërinë tonë, duke e bërë të shterpët e pa shpresë. Kjo pra, është dëshmia themelore e rregulltarëve dhe rregulltareve në botën e sotme.
Pyetje: - Hirësi, ç’ këshill u jepni të rinjve e të rejave që ndjejnë thirrjen për jetë rregulltare?
Përgjigje: - Një të riu, zemra e të cilit është kërkuese, që ndjen se është lindur për gjëra të mëdha, i them se gjëja së cilës ia vlen t’ia kushtosh gjithë jetën është pikërisht Mbretëria e Zotit. Ungjilli i Jezu Krishtit, i kumtuar dhe i jetuar në gjirin e botës, në realitetin e përditshëm, është gjëja më e bukur, më e madhe, gjëja që ka më shumë kuptim e që i jep më shumë kuptim jetës të njeriut.
Festa e Jetës Rregulltare u kremtua sot edhe në të gjitha trojet shqipfolëse, ku kryejnë misionin qindra gra e burra që ia kanë kushtuar gjithë jetën Zotit e të afërmit.Për një dëshmi konkrete të kësaj jete të përkushtuar, ftuam në mikrofonin tonë regulltaren e re baziliaine, Motër Elena Lulashin...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.