Vlera e dëshmisë së përbashkët të katolikëve e ortodoksëve për Tokën Shenjte.
(01.01.2007 RV)Dëshmia e përbashkët e katolikëve dhe e ortodoksëve të traditave
të Lindjes mund të ketë pasoja të rëndësishme për paqen në Tokën Shenjte: kështu u
shpreh sot Benedikti XVI, duke pritur në Vatikan Komisionin e përbërë për dialogun
teologjik me Kishat Lindore. Komisioni i përbërë, në të cilin marrin pjesë përfaqësues
të Kishës së Romës dhe të traditave ortodokse lindore, që u ndanë nga katolikët dhe
nga ortodoksët e Bizantit pas Koncilit Ekumenik të Kaldonisë, në vitin 451 pas Krishtit,
vijon punimet në kërkim të një rruge të përbashkët. I krijuar në vitin 2003, Komisioni
përbëhet nga 14 përfaqësues. Papa, duke i vlerësuar lart ortodoksët e traditave
të Lindjes, përfaqësues të trashëgimisë kishtare që nisi në shekujt e parë të krishtërimit,
theksoi se dialogu me ta mund t’u kthejë të krishterëve të Tokës Shenjte guximin ta
dëshmojnë Ungjillin në rrethana shoqërore e politike të vështira e shpesh dramatike.
Shumë prej jush vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme – u tha Papa të pranishëmve -
dhe në vijim kujtoi me shqetësim situatën e vështirë në të cilën jetojnë individët
dhe bashkësitë e krishtera në këtë zonë. Prandaj Ati i Shenjtë u bëri thirrje të
krishterëve të të gjitha traditave të jenë të guximshëm e të vendosur në forcën e
Shpirtit të Krishtit dhe iu lut martirëve e shenjtorëve që dëshmuan Krishtin në këto
troje, t’i përforcojnë në fe bashkësitë e krishtera.