2007-02-01 16:25:39

Sot Kisha katolike përkujtoi të Lumen Ludovikë, terciare françeskane.


(01.02.2007 RV)E Lumja Ludovikë lindi në vitin 1474 në Romë në familjen fisnike të Albertonëve. Si mbeti jetime në moshë të njomë, u edukua nga e gjyshja e nga disa teze, sepse e ëma u martua rishtas.
Në moshën 20 vjeçare, kundër dëshirës së saj, shkoi nuse në derën fisnike të Gjakomo della Çetera, i cili e desh shumë. Pati me të tri vajza. Në vitin 1506, në moshën 32 vjeçare, mbeti e vejë. Atëherë hyri në të Tretin Urdhër të Shën Françeskut dhe ia kushtoi jetën lutjes, meditimit, veprave të bamirësisë, pendesës e mëshirës. Nisi të kujdesej për vajzat e varfëra në prag të martesës, duke u siguruar pajën e për të sëmurët, që i vizitonte çdo ditë në kasollet e tyre të mjera.Me bujarinë e saj, shpenzoi gjithë pasurinë e trashëguar, pa pyetur fare për kundërshtimet e të afërmve. Zoti i fali dhuratën e ekstazave, që në kohën e saj u bënë shumë të njohura, e këtë e tregon fakti se pas vdekjes së Ludovikës, më 31 janar 1533, skulptori i famshëm Gjan Lorenco Bernini realizoi shtatoren e saj, të njohur në mbarë botën, duke e paraqitur romaken e bukur pikërisht në ekstazë. Sot shtatorja e së Lumes, që ndodhet në Kishën San Françesko a Ripa, në Romë, vizitohet prej mijëra dashamirësh të artit nga e gjithë bota. Në këtë Kishë françeskane është edhe varri me reliket e së Lumes, e cila menjëherë pas vdekjes pati një kult publik, të konfirmuar përfundimisht nga papa Klementi X më 28 janar 1671.







All the contents on this site are copyrighted ©.