Shpresat dhe shqetësimet e Papës për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin e popujve: intervistë
me imzot Celestino Miliore.
(30.01.2007 RV)T’i japë zë atij që nuk ka zë e të ofrojë një kontribut shprese
për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin e mbarë njerëzimit: në këto drejtime përqendrohet
veprimtaria e Selisë së Shenjtë në nivel ndërkombëtar. E këtë veprimtari Benedikti
XVI po e çon përpara edhe në OKB, përmes bashkëpunëtorëve të tij. Kështu pohon kryeipeshkvi
Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i OKB-së në Nju Jork, i cili dje u prit
nga Papa. Mbi përmbajtjen e bisedimeve, të ndjekim vetë prelatin, në mikrofonin
e Radios sonë: Përgjigje: -Jam i kënaqur që pata
mundësinë të bisedoja edhe drejtpërdrejtë me Atin e Shenjtë, për shqetësimet dhe shpresat
e përbashkëta që lidhen me veprimtarinë në OKB. OKB-ja në këto çaste jeton paksa si
në kohët e Kullës së Babelit, në se mund të shprehemi kështu: të gjithë punojmë për
të njëjtin projekt, përdorim të njëjtat metoda, por shpesh nuk arrijmë të merremi
vesh. E kjo ngjet jo sepse na pengojnë gjuhët e ndryshme që flasim, sepse në këtë
drejtim nuk e kemi vështirë ta kuptojmë njëri-tjetrin, por për arsye të frymës së
copëzimit kulturor që nganjëherë arrin deri në përçarje. Duket gati e pamundur të
mirëkuptohemi edhe për gjërat më të vogla. Në këtë takim vërejta se sa dëshirë të
madhe ka Benedikti XVI që prania e Selisë së Shenjtë në OKB të japë kontributin për
ta zhbllokuar këtë situatë e për të siguruar më shumë vullnet të mirë lidhur me mirëkuptimin,
gjë që do të ishte arritje e frytshme për mbarë njerëzimin. Pyetje: - Ç’mund
të na thoni për shpresat dhe shqetësimet kryesore të Atit të Shenjtë përsa i përket
situatës ndërkombëtare? Përgjigje: - Natyrisht nga OKB-ja pritet ajo që
duhet të bëjë OKB-ja. Sipas Statutit, OKB-ja ka për detyrë të sigurojë paqen dhe mirëqenien
e popullsive të botës, përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të përbashkët. Në se
i hedhim një vështrim këtyre kapitujve të mëdhenj – paqe e zhvillim - do të shohim
disa drita, por për fat të keq, më shumë hije. Pyetje: - Ç’pret Selia e
Shenjtë nga OKB-ja në përgjithësi e, në veçanti, nga sekretari i saj i ri i përgjithshëm? Përgjigje:
- Sekretari i ri i përgjithshëm nisi t’i kryejë funksionet e tij të reja vetëm
një muaj më parë. Mund të themi se është njeri shumë i përgatitur e edhe plot gjallëri.
Por kjo për të është një periudhë përgatitore, në të cilën i duhet të formojë stafin
e tij. Mund të themi se jemi ende në pritje, por duhet sqaruar se kjo pritje është
plot me shpresa të mira. Ndjehet se ky emërim i ngjet injektimit të gjakut të ri në
këtë institucion. Pyetje: - A mund të flasim për nisma të posaçme të Selisë
së Shenjtë në nivelin ndërkombëtar? Përgjigje: - Nisma të veçanta ose të
jashtzakonshme nuk ka: ne kërkojmë mbi të gjitha t’i japim zë atyre që nuk kanë zë.
Ndodhemi shpesh para situatave të ndryshme të emergjencës, gjatë të cilave i kërkohet
ndihmë Papës, i kërkohet ndihmë Selisë së Shenjtë, e pikërisht përmes kësaj pranie
në Nju Jork përpiqemi ta çojmë përpara këtë punë, e cila shpesh është posaçërisht
humanitare. Pyetje: - Lindja e Mesme, Iraku, Darfuri, Somalia… janë vetëm
disa pika nevralgjike të situatës së sotme ndërkombëtare. Ç’kërkohet nga Bashkësia
Ndërkombëtare për të përballuar këto emergjenca?Përgjigje: - Dy vjet më parë,
në shtator të vitit 2005, pas takimit të madh të rangut të lartë të presidentëve dhe
kryeministrave, në dokumentin përfundimtar u theksua një koncept shumë i bukur: përgjegjësia
kolektive për mbrojtjen. Sovraniteti nuk kuptohet më si e drejtë e, prej këndej, si
e drejtë për mosndërhyrje në punët e brëndshme, por mbi të gjitha kuptohet si përgjegjësi
e qeveritarëve për të mbrojtur popullsitë e tyre; e atje ku qeveritarët nuk munden
ose nuk duan ta mbrojnë popullsinë ose një pjesë të popullsisë, atëherë përgjegjësia
për këtë mbrojtje bëhet kolektive e i takon mekanizmave të OKB-së. Kemi, pra, një
kuadër shumë të qartë, që duhet të funksionojë. E ta bësh të funksionojë, do të thotë
të nxitësh vullnetet e mira. Kjo është detyrë shumë delikate, e fshehtë, e vështirë,
është kontributi më i rëndësishëm që mund t’i japë Selia e Shenjtë Kombeve të Bashkuara.