2007-01-30 18:27:36

Festa e shiitëve në Irak u la me gjak: 40 të vdekur, e lajme të tjera.


(30.01.07 RV) Presidenti amerikan George Bush ka shprehur keqardhje për dhunën e fundit në Liban duke paralajmëruar Iranin, Sirinë dhe Lëvizjen Hezbollah se do të japin llogari për destabilizimin e situatës.


Festa e Ashureve e myslimanëve shiit në Irak u la me gjak. Së paku 40 shtegtarë janë vrarë pas atentateve e sulmeve në të gjithë vendin. Edhe mbi Irakun foli presidenti amerikan Bush. Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se SHBA-të do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo përpjekjeje të Iranit për të nxitur dhunën në Irak. Nga ana tjetër, Bush sqaroi se Uashingtoni nuk ka ndërmend të sulmojë Iranin.
Ndërkaq, merren vesh shifrat zyrtare të betejës së Nazhafit, të shtunën e kaluar, ku u përfshinë forcat irakiane dhe ato amerikane. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë vrarë 263 vetë dhe janë arrestuar 500 të tjerë, ndër të cilët 210 të plagosur.


Grupet rivale palestineze Hamas dhe Fatah deklaruan se është arritur marrëveshja për armëpushim. Marrëveshja u arrit pas 5 ditë luftimesh, gjatë të cilave janë vrarë së paku 30 palestinezë. Ndërkaq, aviacioni izraelit ka bombarduar gjatë natës së kaluar Rripin e Gazës, për të shkatërruar një tunel të ndërtuar nga ekstremistë palestinezë për të kryer sulme në Izrael.







All the contents on this site are copyrighted ©.