2007-01-29 17:29:48

Një vit pas botimit të Deus Caritas Est.


(29.01.2007 RV)RealAudioMP3 Reflektim i Atë Raniero Kantalamesës mbi Enciklikën e parë të Benediktit XVI.
Një sukses editorial në shumë aspekte: një vit pas botimit, Enciklika e Benediktit XVI ka thyer shumë rekorde. Vetëm në Itali janë shitur më se 1 milion e 450 mijë kopje. Në Gjermani e në Spanjë është rishtypur tri herë; në Poloni dy herë e është përkthyer edhe në gjuhën ruse e kineze, ndërsa në gjuhën latine do të ribotohet së shpejti sepse është zhdukur nga libraritë. Enciklika është përkthyer edhe në gjuhën që përdoret nga të verbërit. Por, përtej numrave, ka rëndësi se Deus Caritas Est tërhoqi vëmendjen e botës laike mbi krishterimin, mbi vlerat e krishtera, siç nënvizon predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa, në mikrofonin e Radios sonë:
- Nga frytet që përftoi, mund të gjykojmë se Papa diti të zgjedhë si duhet, sepse sigurisht që Deus Caritas Est ishte në qëndër të vëmendjes së shumë reflektimeve dhe frymëzoi shumë diskutime, edhe në botën laike. E kjo nuk mund të mos na çuditë, sepse zakonisht me enciklikat merren vetëm besimtarët. Këtë herë u vërejt një interesim i rrallë nga ana e botë shekullare. Besoj se me këtë enciklikë Papa përuroi ose gjeti një mënyrë të re për të bërë apologjinë e krishtërimit, të vlerave të krishtera, të vlerave të fesë, të cilat jo vetëm që nuk i kundërvihen arsyes, por janë lulja më e çmuar e arsyes. Kjo, e dimë është temë e dashur për Benediktin XVI, që pasqyrohet tërthorazi edhe në këtë Enciklikë.  







All the contents on this site are copyrighted ©.