2007-01-26 18:32:04

Të dielën e ardhshme kremtohet Dita e 54-t botërore e të gërbulurve.


(26.01.2007 RV)Në mesazhin e Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit kushtuar Ditës së 54-t botërore të të gërbulurve, theksohet se ndonëse gërbula mund të mjekohet me rezultate të kënaqshme, 10 milionë njerëz në Planet vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme.
Që prej 54 vjetësh në botë kremtohet Dita e të sëmurëve nga gërbula. Kremtimi i 54-t bie të dielën e ardhshme e Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit u ka drejtuar një mesazh solidariteti 10 milionë njerëzve që vuajnë akoma nga sëmundja e Hansenit. Në mesazh kujtohet edhe ai që e themeloi këtë Ditë botërore në vitin 1954: Raul Folerò.
“Mund të themi, pra se gërbula është sëmundje e shërueshme, e njëkohësisht sëmundje ‘e harruar”. Nis kështu analiza që kardinalit Lozano Barragan, kryetar i Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit, u bën bilançeve më të sakta mbi sëmundjen e mbi të sëmurët nga gërbula. Sipas shifrave të 2006-tës, publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OMS), çdo vit në botë preken nga kjo sëmundje ngjitëse më se 220 mijë vetë, pothuajse 602 vetë në ditë, nga të cilët 133. 500 në Azinë juglindore e 4 mijë në zonat e Mesdheut lindor. Sidoqoftë shifrat flasin për pakësimin e numrit të të sëmurëve në vitin 2006, posaçërisht në vendet ku – siç thekson kardinali Barragan në mesazh – ka mundësi që sëmundja të parandalohet e ku situata higjienike krijon kushtet për ta luftuar e për ta zhdukur gërbulën, e cila lulëzon pikërisht atje ku ka varfëri e mungesë të plotë zhvillimi. E pikërisht në këto vende, në përpjekjen për ta luftuar gërbulën - nënvizon komunikata e dikasterit të Vatikanit, të sëmurët vijojnë të marrin falas ilaçet e nevojshme për polikemioterapinë, me ndihmën aktive të OMS-it.
Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit shpreh kënaqësinë për punën e zhvilluar nga strukturat e Kishës katolike kundër gërbulës dhe, duke përsëritur inkurajimin e Benediktit XVI me rastin e Ditës botërore të të sëmurit, i nxit të gjithë të dërgojnë informacione, në mënyrë që Kisha të ketë mundësi të nisë atje ku ndjehet më shumë nevoja, misionarë e rregulltare që punojnë në vijën e parë të frontit kundër sëmundjes. Në këtë Ditë – shkruhet akoma në mesazh – duhet kujtuar edhe themeluesi, Raul Follero. Kardinali Barragan e quan ‘shembull e konfirmim, që tregon se dashuria e Zotit e nxiti edhe atë që pohoi përvujtërisht: “Unë nuk e njoh Zotin, është Zoti që më njeh mua: e kjo më mbush me shpresë”. Për ta kuptuar më mirë ç'u tha më sipër, po kujtojmë edhe një çast nga jeta e jashtzakonshme e Nënë Terezës, një nga shembujt më të shkëlqyer të shërbimit edhe në frontin e luftës kundër gërbulës: " Një gazetari amerikan, i cili, duke e parë të përkulur, tek mjekonte plagët e një të gërbuluri, që kullonin gjak e qelb, i pati thënë se ai nuk do ta kishte bërë këtë as për një milion dollarë, Nënë Tereza i qe përgjigjur aty për aty: "As unë nuk do ta bëja kurrë për aq para. Por e bëj falas për Krishtin!".







All the contents on this site are copyrighted ©.