2007-01-26 18:31:39

Në përfundim të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa theksoi: “Jezusi shëron nga paaftësia për të kumunikuar dhe nga përçarja”.


(26.01.2007 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI vuri në dukje edhe se kushtet që ndikojnë për arritjen e bashkimit janë dëgjimi i përbashkët i fjalës së Zotit dhe aftësia për të dialoguar ndershmërisht .
Kremtimin, që u mbajt në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës në festën e të Kthyemit të Apostullit të Popujve, në praninë e përfaqësuesve të shumtë të kishave dhe të bashkësive kishtare, e mbylli kardinali Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve me një përshëndetje drejtuar Papës. Ta dëgjojmë:
- Mendoj se të gjithë mbetën shumë të kënaqur nga kjo liturgji e mrekullueshme e nga fjalët e Papës, që nënvizoi rëndësinë e fjalës së Zotit, të dëgjimit e të dialogut. E mendoj edhe se kjo është një kohë themelore, posaçërisht për marrëdhëniet me protestantët që i kushtojnë rëndësi të dorës së parë fjalës së Zotit: këtë e tregon qartë fakti se ata u emocionuan tepër dje, gjatë kremtimit. Papa tha: “Në të vërtetë nuk jemi ne që e bëjmë ose e organizojmë bashkimin e Kishës. Kisha nuk e bën vetveten as nuk jeton nga vetvetja, por nga fjala që del prej gojës së Hyjit. Ta dëgjosh së bashku fjalën e Zotit, ta praktikosh leximin e Biblës, dmth leximin e lidhur me lutjen; ta lesh veten të mahnitesh nga risia e fjalës së Zotit, që s’plaket e s’shterron kurrë, ta kapërcesh shurdhërinë për t’i dëgjuar këto fjalë, të cilat nuk përkojnë me paragjykimet e me opinionet tona; t’i dëgjosh e t’i studiosh edhe ata që e dëgjuan para nesh fjalën e Zotit, për të mësuar prej tyre, e kështu ta lexosh Biblën me syrin e kësaj tradite të gjatë e të pasur të dëgjimit; gjithë kjo përbën një rrugë që duhet përshkuar, për të arritur unjësinë në fe, si përgjigje për Fjalën e Zotit që kemi dëgjuar. Më duket shumë i rëndësishëm edhe një aspekt tjetër: tekstet për liturgjinë e djeshme u shkruan nga bashkësitë e Jugut të Afrikës, që janë të varfëra, që nuk kanë zë, që nuk mund të flasin. Po përfundimi i Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve u krijoi mundësinë të flasin me zë të lartë e të dëgjohen. E duhet theksuar se ka shumë rëndësi që ne t’i dëgjojmë bashkësitë e varfëra, të vogla, të largëta, të harruara nga bota, por jo nga Kisha, sepse edhe kjo ka të bëjë me katolicitetin e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.