2007-01-26 18:31:53

Koment i mesazhit të Papës mbi komunikimet shoqërore nga imzot Xhon Folei


(26.01.2007 RV) Industria e mjeteve të komunikimit të respektojë dinjitetin e njeriut dhe nevojat e familjes: këtë nënvizoi Papa në mesazhin për Ditën e 41-të botërore të komunikimeve shoqërore me temë: “Fëmijët dhe mjetet e komunikimit: sfidë për edukimin”.
Në mesazhin, publikuar të mërkurën e kaluar, Papa vë theksin kryesisht mbi edukimin e përshtatshëm për përdorimin korrekt të mjeteve të komunikimit, që është themelor për zhvillimin moral e shpirtëror të fëmijëve. Në festën e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv e doktor i Kishës, shpallur nga Piu XI ‘Pajtor i gazetarëve katolikë’, Shenjtëria e Tij u kërkoi me forcë punonjësve të mjeteve të komunikimit të impenjohen për të promovuar dinjitetin e njeriut, duke respektuar etikën e duke mos u ulur në nivelet e standartit, nën shtytjen e konkurencës me qëllim fitimi.
Mesazhi pati jehonë të gjërë në vetë mjetet e komunikimit, duke pasur parasysh se preku disa nga problemet më të mprehta, që shqetësojnë seriozisht familjet dhe mbarë shoqërinë, e cila e di mirë se si janë fëmijët sot, do të jetë e nesërmja e saj.
Ftuam për një koment të shkurtër të Mesazhit, kryeipeshkvin Xhon Folei, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore:
Përgjigje: - Ati i Shenjtë nënvizon disa herë se mjetet e komunikimit masiv sot kanë një ndikim të jashtzakonshëm mbi jetën e të gjithë njerëzve; e kjo sepse ka shumë, shumë informacione, por mungon përgatitja e njerëzve për ta gjykuar drejt vlerën e këtyre informacioneve. Kjo vlen në radhë të parë për fëmijët. Ky dikaster është përpjekur vite me radhë për të promovuar pikërisht formimim e të rinjve për kumunikim, për të përfshirë ndër shkolla formimin e të rinjve, që të jenë në gjendje t’i përdorin mjetet e komunikimit, të dinë si t’i gjykojnë, si t’i vlerësojnë, si të zgjedhin ç’është më e mirë ndërmjet programeve të disponueshme që vlejnë më shumë për zhvillimin e jetës njerëzore.Kujtojmë se Dita botërore e komunikimeve shoqërore do të kremtohet me 20 majin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.