2007-01-25 16:23:55

Propozimi i Ahtisarit nuk përmban asnjë referim për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën


(25.01.07 RV) Nesër, i dërguari i veçantë i OKB-së, Marti Ahtisari do të paraqesë propozimin e tij për statusin e Kosovës para vendeve të Grupit të Kontaktit dhe Rusisë në Vienë. Takimi bëhet me dyer të mbyllura e akoma nuk dihet asgjë për përmbajtjen e propozimit, por disa burime të paidentifikuara nga Kombet e Bashkuara kanë dhënë disa deklarata për agjensinë britanike të lajmeve Rojters.
Sipas këtyre burimeve, projekti i jep Kosovës të drejtën të marrë pjesë në marrëveshjet ndërkombëtare dhe të aplikojë për anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vetë Kombet e Bashkuara, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Plani flet për dy-nënshtetësinë dhe i kërkon Prishtinës të krijojë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe me shtetet e tjera fqinje. Në ndryshim nga rezoluta 1244 e OKB-së, që qeverisi Kosovën deri në largimin e forcave serbe, propozimi nuk përmban asnjë referim për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Kosova do të marrë mbi vete, për sa i takon, të gjitha aspektet ekonomike e borxhet e ish-Jugosllavisë e të Serbisë. Gjermania e ka përkufizuar këtë status si “pavarësi e kufizuar”. Kufizimet do të administrohen nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu do të caktohet një vëzhgues i jashtëm.
Përsa u përket serbëve të Kosovës, Ahtisari do t’u japë atyre të drejtën të vetëqeverisen, kontroll të konsiderueshëm mbi policinë e zonave ku banojnë dhe të drejtën të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin. Serbia mund të financojë zonat serbe, me kusht që paratë të kalojnë përmes Prishtinës. Manastiret e kishat ortodokse serbe më të lashta do të shpallen zona të mbrojtura.
Stomaku i shqiptarëve duhet të tresë edhe vite të gjata mbikqyrjeje nga ana e një misioni policor evropian, si edhe një të dërguar në modelin e Bosnjës, që ka pushtet për të vendosur ligje e për të emëruar zyrtarë lokalë. NATO-ja nuk do ta ndryshojë numrin e trupave së paku deri në vitin 2008.
Çelësi i gjithçkaje duket se është Rusia. Nëse ajo nuk vendos veton, një rezolutë e mundshme e OKB-së për statusin e Kosovës do të dalë në mesin e vitit 2007, e sipas gjasave, do t’u lejojë shteteve të botës ta njohin ose jo shtetin e ri e të fundit nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, sipas politikës së tyre. NATO-ja është e përgatitur për një eksod të mundshëm të serbëve të Kosovës, për dhunë nga ana e shqiptarëve, ose për një përpjekje të serbëve veriorë që ta ndajnë Kosovën më dysh.








All the contents on this site are copyrighted ©.