2007-01-25 19:29:30

Kryeministri Viet Namit pritet nga Benedikti XVI: hap i rëndësishëm për normalizmin e marrëdhënieve dypalëshe.


(25.01.2007 RV)Sipas njoftimit të një Komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, sot paradite kryeministri i Republikës Socialiste të Vietnamit, Nguen Tan Dung, u prit në audiencë nga Benedikti XVI e më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, i cili shoqërohej nga Imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet. Selia e Shenjtë shpreh kënaqësinë për këtë vizitë, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Këto marrëdhënie vitet e fundit kanë shënuar një progres të dukshëm, duke i krijuar Kishës Katolike në Vietnam hapësira të reja për veprimtarinë e saj në atmosferën e lirisë fetare.
Gjatë bisedimeve u shqyrtuan kryesisht problemet që nuk janë zgjidhur akoma e që urohet të zgjidhen sa më shpejt përmes dialogut ekzistues, për të siguruar kështu bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kishës e Shtetit, në mënyrë që katolikët të japin gjithnjë më shumë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët të vendit, sidomos në veprimtarinë për promovimin e vlerave morale në gjirin e rinisë, në përhapjen e kulturës së solidaritetit dhe në veprimtaritë bamirëse në favor të shtresave më të ligështa të popullsisë.
U shkëmbyen mendime edhe për aktualitetin ndërkombëtar, duke theksuar impenjimin e përbashkët për paqen dhe për zgjidhjen e problemeve të rënda të sotme me rrugën e bisedimeve. Është hera e parë që një kryeministër i Republikës Socialiste të Vietnamit takohet me Atin e Shenjtë dhe me autoritetet më të larta të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.