2007-01-25 19:32:29

Kalendari Kishtar i 25 janarit kremtoi “Kthimin e Shën Palit Apostull".


(25.01.2007 RV)RealAudioMP3 Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës të Krygjëzuemit, të cilin ai, farizé i bindur, e persekuton në korpin mistik, vë në dukje në mënyrë të bindshme fuqinë e hirit që rrëzon përdhé Saulin dhe ngjall Palin, që derdhet me bujarí, ku mëkati është me teprí, që armikun e përbetuar të Shëlbuesit e shndërron në misionarin e Ungjillit, në Apostullin e popujve, në Dishmitarin e fesë me fjalë e me vepra, me jetë e me vdekje.
Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 21 nëntorit të kaluar, Benedikti XVI mori simbolikisht udhën e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar lidhjen mistike që bashkon Krishtin me Kishën. Shpjegoi se Apostulli i ardhshëm nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.
Kështu arriti tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës të Kishës e gjejmë tek sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.
Prandaj Apostulli i Popujve nuk i deshi kishat që themeloi, të ftohta e burokratike, por plot ndjenjë e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt:
Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi. Gjetiu Pali mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt, që është burim energjie e gjallërie përherë të re. Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit. Mbledhjet tona liturgjike – porosiste Apostulli - duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.







All the contents on this site are copyrighted ©.