2007-01-25 19:28:37

Papa priti në audiencë Këshillin e zakonshëm të Sinodit të Ipeshkvijve:të kujdesemi për ruajtën e grigjës së Krishtit me gatishmëri të pakushtëzuar deri në dhurimin e plotë të jetës sonë!


(25.01.2007 RV)Jeta e Kishës bazohet mbi fjalën e Zotit dhe ushqehet prej saj – theksoi Papa në takimin e sotëm me Këshillin e zakonshëm të Sinodit të ipeshkvijve, duke u ndaluar posaçërisht tek rëndësia e Asamblesë XII të përgjithshme të Sinodit, me temë “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”, që do të mbahert nga 5 deri më 28 tetor të vitit 2008.
“Jezusi është Kryebariu i Kishës. Ai na dërgon në botë për ta ruajtur grigjën e Tij e për ta mbrojtur deri në dhurimin e plotë të jetës sonë – tha Papa – dhe në vijim kujtoi se tema e Sinodit të ardhshëm u zgjodh ndërmjet shumë temave të tjera, sepse u pëlqeu më shumë barinjve të kishave të veçanta:
“E kjo kuptohet lehtë - theksoi Ati i Shenjtë- sepse veprimi shpirtëror që shpreh e ushqen jetën dhe misionin e Kishës, duhet të bazohet mbi Fjalën e Hyjit. E me që kjo Fjalë u besohet të gjithë nxënësve të Zotit, siç na e kujtoi edhe Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve – kërkon nderim e nënshtrim të veçantë, në mënyrë që të dëgjohet edhe si thirrje urgjente për bashkmin e plotë të besimtarëve në Krishtin”.Në vijim Papa i falënderoi ipeshkvijtë për punën e tyre, në saje të së cilës është arritur në fazën përfundimtare të hartimit të Lineament-ës të asamblesë, dokument që përpiqet t’i përgjigjet kërkesës së barinjve për të nxitur sa më shumë lidhjen me Fjalën e Zotit në meditim e në lutje. Papa shprehu besimin se, si të botohet, do të shërbejë si mjet i çmuar për asamblenë. Më pas Ati i Shenjtë uroi që asambleja e ardhme sinodale të japë ndihmesën e vet për të rizbuluar rëndësinë e fjalës së Hyjit në jetën e çdo të krishteri, të çdo bashkësie kishtare e edhe qytetare. Siç na e kujton Letra drejtuar hebrenjve – tha në përfundim Shenjtëria e Tij –fjala e Hyjit ndriçon rrugën tonë në shtegtimin tokësor drejt përmbushjes së plotë të mbretërisë së Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.