2007-01-24 17:57:34

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI kërkoi lutje e pastrim të kujtesës për të shpejtuar në rrugën e vështirë të ekumenizmit.


(24.01.2007 RV)“Ekumenizmi është ngjitje e ngadaltë në të përpjetë, ku megjithatë, nuk mungojnë edhe çastet e gëzimit, në të cilat thithet ajri i pastërt i bashkimit të plotë”. Siç pati njoftuar javën e kaluar, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa e kujtoi përsëri Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që përfundon nesër. Ati i Shenjtë foli për sukseset kryesore ekumenike të vitit 2006, që arritën kulmin me përqafimin e paqes, në Turqi, me Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I.
Lutja e përbashkët është kyçi për të hedhur dritë mbi hijet që errësojnë rrugën drejt bashkimit. Benedikti XVI e përsëriti disa herë këtë koncept, duke folur me entuziazëm për temën e bashkimit ndërmjet konfesioneve të ndryshme të krishtërimit. Është rrugë e vështirë, e thepisur, për ruajtjen e së cilës - siç pohon Koncili II i Vatikanit - është e thirrur mbarë Kisha– nga kulmi deri në themel.
“Ekumenizmi sigurisht është proces i ngadaltë e nganjëherë, ndoshta, edhe çkurajues, posaçërisht kur njeriu i nënshtrohet tundimit të dëgjojë, por të mos ia vërë veshin asaj që dëgjon, të flasë me gjysëm goje, në vend që ta shpallë me zë të lartë atë që ka për të thënë. Nuk do të ishte e lehtë të braktisësh një rrugë të rehatshme, sikur Ungjilli i pandryshueshëm të mos kishte aftësinë të rilulëzonte, duke ripohuar se është tharm pendese e ringjalljeje shpirtërore për secilin nga ne”.
E gjithë kjo- vijoi Ati i Shenjtë - mund të arrihet duke u lutur, sepse kjo është edhe detyra e parë e çdo të krishteri. E dyzet vjet ekumenizmi paskoncilar e dëshmojnë qartë, në se kemi parasysh frytet e begata që janë mbledhur gjatë kësaj rruge:
“Duke parë lulëzimin e mrekullueshëm të impenjmit për rikrijimin e bashkimit të të krishterëve, në se ripërshkon udhën e 40-viteve të fundit, habitesh kur vëren si Zoti na zgjon nga plogështia e vetkënaqësisë dhe e indiferencës e si na bën përherë e më të aftë për t’ia vënë mirë veshin asaj që dëgjojmë”.
Rruga është e rrëpirtë, por në të nuk është e pamundur të gjesh oaze gëzimi e të thithësh ajrin e pastërt të bashkimit–pohoi Papa. E këtë – vijoi – e dëshmojnë ngjarje të shumta e të rëndësishme ekumenike, që u shënuan në analet e Kishës e të historisë në vitin 2006, që nga fillimi e deri në mbarim. Benedikti XVI bëri kronikën historike të këtyre ngjarjeve, duke u ndaluar, ndërmjet tjerash, tek përfundimi pozitiv i ballafaqimit më se tridhjetëvjeçar me Kishat e reformuara, që pati si pasojë një çast domethënës lutjeje me primatin e Bashkimit anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit, Ruan Viljams, si dhe tek rigjallërimi i marrëdhënieve me Kishën e Rusisë, duke kujtuar takimin e udhëheqësve fetarë, që u mbajt në Moskë në korrik të 2006-tës. Gjatë këtij takimi Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Aleksej II, theksoi – përmes një mesazhi të posaçëm - se e përkrah Selinë e Shenjtë në rrugën drejt bashkmit. Papa kujtoi më pas edhe vizitën e metropolitit Kirill të Patriarkanës së Moskës, që luajti një rol të dorës së parë në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Por ndërmjet sukseseve, Ati i Shenjtë nënvizoi në mënyrë të veçantë shtegtimin e tij apostolik në Turqi, ku u takua me Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I, takim që - sipas Papës- nuk mund të mbetet pa rezultate.
“Përfitoj nga rasti për ta përshëndetur përsëri Shenjtërinë e Tij Bartolomeun I dhe për ta falënderuar për letrën që më shkroi kur u ktheva në Romë. E siguroj për lutjen time e për impenjimin se do të punoj që të arrihen rezultate praktike nga ai përqafim i paqes që shkëmbyem gjatë Liturgjisë Hyjnore në Kishën e Shën Gjergjit në Fanar”.
Më pas, në përfundim të katekizmit të shkurtër në gjuhë të ndryshme, duke kujtuar festën e Shën Françeskut të Sales, Benedikti XVI i drejtoi një përshëndetje të posaçme ipeshkvijve të Emilia Romanjes, që vijojnë vizitën ‘ad Limina’ në Vatikan.Në përfundim të audiencës, Benediktit XVI iu dorëzua titulli i katërt ‘Qytetar nderi’ që nga fillimi i papnisë. Kësaj radhe nga një përfaqësi e qytetit gjerman Titmoning, të cilin Papa e quajti “vend që i ngjet një ëndrre të bukur”, ku familja Ratzinger jetoi nga vitet 1929-1932. Bashkë me titullin, bashkatdhetarët i dhuruan Benediktit XVI edhe një kopje të ikonës që nderohet në Shenjtëroren e Zojës së bekuar në Polah, pranë Titmoningut.







All the contents on this site are copyrighted ©.