500 milion euro për Libanin nga Evropa. Në Paris fillon Konferenca e Donatorëve.
(24.01.07 RV) Ndeshje të reja në Liban. Sot pasdite, në Tripoli ka pasur përleshje
ndërmjet përkrahësve të qeverisë së Fuad Siniorës dhe mbështetësve të hezbollahëve,
pas funeralit të dy personave që u vranë gjatë grevës së djeshme të përgjithshme.
Deri tani flitet vetëm për të plagosur. Ndërkaq, vetë Fuad Siniora ndodhet në
Paris, ku nesër fillon konferenca dy-ditore e Donatorëve për Libanin. Që sot, Presidenti
i Komisionit Evropian Barroso deklaroi se Brukseli ka ndërmend ta çojë në 500 milion
euro shifrën e ndihmave për Libanin. Bashkimi Evropian i ka dhënë tashmë Libanit 107
milion euro. Por cilat janë perspektivat e vendit të kedrave? I kërkuam një analizë
Antonio Ferrarit, analistit politik të gazetës italiane “Korriere della Sera”: Perspektivat janë
të vështira. Është e qartë se dje patëm ndeshje të fuqishme për arësye kryesisht ekonomike.
Reformat që dëshiron të bëjë qeveria e Siniorës janë të vështira e kanë të bëjnë jo
vetëm me rritjen e çmimeve, por edhe me privatizimet, me prekjen e të gjitha përfitimeve,
si për shembull shfrytëzimin e konçesioneve për ndërtime. Fakti që hezbollahët, në
çastin e fundit, u tërhoqën, sepse në fillim patën thënë “duam grevë pa kufij kohorë”,
tregon vullnetin e tyre për t’i marrë ndihmat e donatorëve.