2007-01-23 17:46:24

Papa falënderon Zotin për jetën e Abatit Pierre. Salikimet solemne do të kremtohen të premten në katedralen e Shën Marisë së Parisit.


(23.01.2007 RV) Abati Pierre ndërroi jetë dje në Francë, në moshën 94 vjeçare, e Papa, në telegramin e ngushëllimit drejtuar kryetarit të ipeshkvijve francezë, kryeipeshkvit të Bordosë, Pierre Rikard, falënderon Zotin për jetën dhe për veprimtarinë e tij fetare në ndihmë të më të varfërve. Benedikti XVI lutet që Zoti ta pranojë në paqen e mbretërisë së tij këtë meshtar, i cili gjithë jetën luftoi kundër mjerimit dhe i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit si dhe bashkësisë Emmaus, themeluar prej tij.
Franca po e nderon në mënyrë të jashtzakonshme kujtimin e Abatit Pierre. Mijëra njerëz janë mbledhur në heshtje para spitalit ushtarak Val-de- Grâse të Parisit. Salikimet e rregulltarit francez do të kremtohen të premten e ardhshme, në orën 11, në kateralen e Shën Marisë së Parisit. Pastaj, sipas dëshirës së shprehur në testament, trupi i Abatit do të varroset në formë private në varrezën e Estevilë, në Normandinë e Epërme, ku pushojnë në paqe bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij.
Vendimin e mori bashkësia e Emmaus, themeluar nga Abati Pierre. E lindur në vitin 1949, lëvizja e tij numron sot 115 bashkësi në Francë e 400 grupe në më se 40 vende të ndryshme të botës. Veprimtaria e Bashkësisë Emmaus, drejtori i ri i së cilës, caktuar nga vetë Abati, është Renco Fiori, ka nisur prej kohe edhe në Shqipëri, posaçërisht në qendrën e Tiranës që kujdeset për të droguarit.
Për ta njohur nga afër veprimtarinë e Abatit Pierre dhe të bashkësisë së tij, intervistuam kryetarin e Konferencës ipeshkvnore të Francës, kryeipeshkvin e Bordosë, Zhan Pierre Rikard:
Përgjigje: - Beteja e tij e parë publike nisi në vitin 1949: asokohe ngriti për herë të parë zërin në favor të banesave për njerëzit pa strehë dhe krijoi bashkësinë e parë të Emmausit. Po ç’ishte kjo bashkësi? Ishte vend strehimi, në një shtëpi të zënë nga vetë Abati në rrethinat e Parisit, ku strehonte njerëzit më të mjerë të rrugëve. Gjatë viteve u krijuan vende ditore strehimi, ku njerëzit që kalonin vështirësi, mund të gjenin në mëngjes jo vetëm një kafe të ngrohtë, një kifle e një panine, por edhe të gjitha shërbimet higjienike, një dush… nuk janë, pra, vetëm vende shërbimi, por edhe vende ku gjen njerëz të gatshëm të të dëgjojnë e të të ndihmojnë t’i kapërcesh vështirësitë.
Pyetje: - Ç’është realizuar tjetër, përveç qendrave të solidaritetit?
 Përgjigje: - Janë edhe pensionet–familje. Në këto pensione strehojmë njerëz që nuk janë akoma në gjendje të jetojnë në mënyrë të pavarur. Është një përvojë aq e rëndësishme sa, me shtytjen e Fondacionit të Abatit Pierre, qeveria ka vendosur të krijojë në këto pensione gjatë dy-tri vjetëve të ardhshme, më se 5 mijë vende. Abati nuk është më, por nuk ishte i vetmi në Francë, ndonëse zëdhënës i fuqishëm, profet!







All the contents on this site are copyrighted ©.