(22. 01. 2007 RV)“Është meshtar i mirë. I përgatitur, rrëfyes në Seminarin
romak dhe në Kolegjin Urbanian të Propaganda Fides. Aktivizohet në shumë vepra bamirësie.
Po pse dashka të themelojë një shoqëri për apostullimin katolik? Sikur për këtë të
mos ishin prej kohe strukturat e Kishës? Vinçenc Paloti, romak, i lindur në vitin
1795, meshtar që nga viti 1818, u ndesh me mosbesim e pengesa të shumta në botën kishtare
kur, ashtu si pak kush, (dom Nikollë Maca në Veronë për shembull) kuptoi ç’kërkonte
koha nga katolikët. Pas stuhisë së Revolucionit francez e të Napoleonit, ipeshkvij,
priftërinj, rregulltarë e studiues u vunë me gjithë shpirt në mbrojtje të fesë. E
Vinçenci e shikonte këtë dhe e vlerësonte. Por ai mendonte se kjo ishte e pamjaftueshme:
problemi i vërtetë nuk ishte të mbrohej gardhi, brënda të cilit ndodheshin besimtarët.
Jo, duheshin fituar besimtarë të tjerë, kudo, duke i shembur gjerdhet. E shtonte:
kjo është detyrë e të gjithëve; çdo i krishterë e ka për detyrë ta ruajë fenë e ta
përhapë atje ku nuk ka arritur akoma ose ku nuk është më. Ky ishte një program sulmi.
Vinçenci respektonte mandatin e veçantë të Papës, të ipeshkvijve, të klerit, por fliste
edhe për ‘apostullimin katolik” si detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti
i urdhëron të gjithë të kujdesen për shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë
bazë lindi në vitin 1835 Vepra e Apostullimit Katolik, shoqatë laikësh, që do të kishte
si pjesë të brëndshme e si forcë lëvizëse një bashkësi meshtarësh, e ndjekur nga Kongregata
e Motrave të Apostullimit katolik (që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte
Krishtin të njohur me fjalë, me mësim, me vepra materiale e shpirtërore bamirësie
Gregori XVI e miratoi veprën, e atëherë në Romë të gjithë nisën ta shikojnë me nderim
don Vinçencin. Por shoqëria e tij e apostullimit, pas fillimit të mbarë, nisi të haste
pengesë pas pengese, duke filluar nga shtyrja e vazhdueshme e miratimit të rregullës
(deri në vitin 1904). Vinçenci vdiq me famën e njeriut shenjt, por që ama e kishte
bërë një gabim. Gjithsesi ai që quhej ‘gabimi i tij’, vijonte të përparonte, duke
bërë që, në fund të shekullit XX, palotinët të luanin një rol gjithnjë më të rëndësishëm.
E megjithatë ky i ashtuquajtur ‘gabim’, që solli frymë të re në Kishë, e ngadalësoi
çështjen e shenjtërimit të Tij, gjithnjë përmes keqkuptimesh e dritëshkurtësie. U
desh Papa Piu XI për t’i dhënë fund mosbesimit e për ta shpallur Vinçencin punëtor
të vërtetë’ e ‘bashkëpunëtor të çmuar të misionit katolik’, ndërsa shenjt u shpall
nga Gjoni XXIII në vitin 1963. Dy vjet më pas, dekreti Apostolicam actuositatem i
Koncilit II të Vatikanit do të shpallte solemnisht: “Laikët kanë të drejtën dhe detyrën
e apostullimit, që buron nga bashkimi i tyre me Krishtin, Kryet e Kishës”. Kështu
jehuan fjalët e Vinçenc Palotit, 130 vjet pas vdekjes së tij në Kishën universale,
me zërin e Papës Pali VI dhe të ipeshkvijve të mbarë botës.