2007-01-22 20:53:31

Në Serbi fitojnë nacionalistët, e vështirë rruga e formimit të qeverisë së re.


(22.01.07 RV) Në Serbi fitojnë nacionalistët, e vështirë rruga e formimit të qeverisë së re nga koalcioni i mundshëm ndërmjet Partisë demokratike të presidentit Boris Tadiq e Partisë serbe të kryeministrit Vojislac Koshtunica.
“Fitorja për nacionalistët, pushteti për demokratët në Serbi”. Me këtë titull të gazetës së Beogradit “Glas Javnosti” mund të fotografohet më së miri gjendja e Serbisë, pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare. Partia që ka fituar më shumë vota është ajo Radikale Serbe me 28,7%, por qeveria, sipas të gjitha gjasave, do të formohet nga koalicioni i tre partive pro-evropiane: Partia demokratike e presidentit Boris Tadiç, me 22,9% të votave, Karteli nacionalist i qendrës me kryeministrin Vojisllav Koshtunica, që ka fituar 16,7% të votave dhe partia liberiste G17 Plus e ish-ministrit të financave Mlagjan Xhinkiq, me 6,8% të votave.
Nga deklaratat e para, duket se Bashkimi Evropian e dëshiron një koalicion të këtyre tre partive, megjithëse dialogu ndërmjet tyre nuk do të jetë i lehtë për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur në të kaluarën. Por, qëndrimi i presidentit aktual të Bashkimit Evropian, gjermanit Shtajnmajer dhe Komisarit për Politikën e Jashtme, Havier Solana është i qartë. “Shpresoj vërtet – theksoi Solana në Bruksel– që të mund të formohet një qeveri me forca pro-europeiste dhe demokratike”. Mbi këtë çështje u diskutua sot në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm evropianë në Bruksel. Evropa pret që Beogradi të bashkëpunojë plotësisht për dorëzimin e kriminelëve të luftës në Gjykatën e Hagës. Ky është kusht për integrimin e Serbisë në Evropë.
Një qeveri e re duhet të jetë edhe një bashkëbiseduese e re për çështjen e Kosovës, e cila tani pret statusin e saj përfundimtar. Sot në Bruksel, ministri i jashtëm italian D’Alema foli për këtë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, por dje arriti një deklaratë e presidentit rus Putin, që shkakton probleme për pavarësinë e mundshme të Kosovës.
“Duam një zgjidhje që t’i pëlqejë si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës”, deklaroi Putin në Soçi të Detit të Zi, gjatë një konference të përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel. Duke theksuar: “Nuk mendoj se Evropa dëshiron zgjidhje që mund t’i imponohen një pale, zgjidhje që mund të jenë fyerje për popullin serb. Duhet të kemi durim e të gjejmë zgjidhje të pranueshme”.
Ndërkaq, në deklaratën e parë zyrtare pas zgjedhjeve në Serbi, qeveria e Kosovës thekson se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se pret nga bashkësia ndërkombëtare që të përcaktojë sa më shpejt statusin e vendit. Për Kosovarët tashmë ka ardhur koha të propozohet statusi politik.
“Pavarësia e Kosovës është gjendje faktike, ndaj, kërkojmë që njohja e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës të bëhet pa asnjë vonesë. Nuk ka asnjë arsye të vetme që Kosova të mbahet peng i udhëtimit të vështirë dhe të ndërlikuar të Serbisë”, tha sot kryeministri i Kosovës Agim Çeku gjatë fjalimit të rregullt javor.







All the contents on this site are copyrighted ©.