2007-01-22 17:48:00

Gëzimi gjindet vetëm duke tharë lotët e njerëzve që vuajnë: model Nënë Tereza.


(22.01.2007 RV)Në gjirin e Kishës katolike vdekja e një bamirësi të madh nuk i jep fund veprës së tij, përkundrazi. E këtë e dëshmon, ndërmjet tjerash, festa e madhe e UNITALSIT (Bashkimit Kombëtar Italian për Transportimin e të Sëmurëve në Lurdë e në Shenjtërore Ndërkombëtare) që u kremtua të shtunën e kaluar në Sallën e Palit VI në Vatikan. Iu kushtua temës: “Të shërbesh sot: Nënë Tereza, model shërbimi për të gjithë njerëzit”.
U zgjodh Nënë Tereza si model për të gjithë ata që ecin në rrugën e shërbimit, sepse ajo shkriu gjithë jetën në shërbim të njerëzve të varfër, të vuajtur, të plagosur në trup, por sidomos në shpirt. Me shërbimin e saj plot gëzim, në mes të mjerimit më të frikshëm të botës, i siguroi njerëzit e braktisur nga shoqëria, se Zoti i do, se Zoti nuk braktis askënd, asnjëherë.
Por të dëgjojmë fjalët e imzot Angelo Komastrit, i ftuar kryesor në këtë takim:
 - “Nënë Tereza e kishte kuptuar se në botë mungon dashuria. Prandaj shkriu gjithë jetën për t’i dhuruar botës më shumë dashuri. Nënë Tereza e kishte kuptuar se duke çuar dashurinë në botë, çon vetë Zotin, sepse Zoti është dashuri. E gjithë ç’thuhet për Nënë Terezën, mund të thuhet edhe për UNITALSI-n, prandaj Nënë Tereza ndjehet fare mirë ndërmjet jush: keni, kemi, të njëjtën thirrje; kemi të njëjtin mision. Nënë Tereza përsëriste shpesh se gëzimi i vërtetë nuk lind nga të mirat materiale, por gjindet duke dashur e duke terë lotët nga sytë e vëllezërve që vajtojnë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.