2007-01-22 17:47:34

Ekumenizëm do të thotë të flasësh me të tjerët me gjuhën e dashurisë, duke lehtësuar vuajtjet e njerëzve. Kështu Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot.


(22. 01. 2007 RV)Ekumenizëm do të thotë të flasësh me të tjerët me gjuhën e dashurisë, duke lehtësuar vuajtjet e njerëzve. Kështu u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në ditën e katërt të Javës së Lutjes për bashkimimn e të krishterëve. Benedikti XVI vlerësoi lart edhe rolin e shkollës katolike dhe thirrjet kundër përdorimit të armëve-lojra, duke nëvizuar se fëmijët duhen ruajtur nga çdo shfaqje e dhunës.
Ekumenizmi është dëshira për të dëgjuar tjetrin e për t’i folur me gjuhën e dashurisë së anasjelltë, në një dialog të thellë, që kthehet në bashkëpunim vëllazëror për lehtësimin e vuajtjeve të njeriut – u shpjegoi dje Papa rreth 50 mijë shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga dita dimërore e ngarkuar me re.
Dita e katërt e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, me temë “Po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët” u drejtonte besimtarëve ftesën të meditojnë mbi heshtjen e të harruarve dhe vajin e të vuajturve, duke pasur mirë parasysh se ne jemi një trup i vetëm në Krishtin e mëshirshëm e se mjerimi i disa pjesëve të trupit, nuk është thjeshtë problem i tyre, por problem i të gjithëve. E Benedikti XVI kujtoi se këtë vit propozimi fillestar për temën erdhi nga një grup ekumenik i Afrikës së Jugut, e pikërisht nga Umlazi, qytet tepër i varfër, ku Sida ka marrë përmasat e pandemie e ku të pakta janë shpresat njerëzore. Po Krishti i ngjallur – nënvizoi Ati i Shenjtë – është shpresë për të gjithë. E posaçërisht për të krishterët:
Trashëgimtarë përçarjesh që kanë ndodhur në epokat e kaluara, ata deshën me këtë rast të bëjnë një thirrje: “Krishti mund të bëjë gjithçka, Ai bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin të pagojët, Ai prandaj është në gjendje të ndikojë në zemrën e të krishterëve dëshirën e zjarrtë për ta dëgjuar tjetrin, për të komunikuar me tjetrin e për të folur së bashku me gjuhën e dashurisë reciproke. Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve na kujton kështu se ekumenizëm do të thotë përvojë e thellë dialogu, do të thotë të flasësh, të dëgjosh e të njihesh më mirë me tjetrin; është detyrë që mund ta kryejnë të gjithë, posaçërisht përsa i përket ekumenizmit shpirtëror, të bazuar mbi lutjen dhe bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet të krishterëve”.
Papa uron që dëshira për bashkim, e shprehur përmes lutjes dhe bashkëpunimit vëllazëror për lehtësimin e vuajtjeve të njeriut, të përhapet sa më shumë ndër famullitë, lëvizjet kishtare e institutet rregulltare:
“U jam mirënjohës atyre që, në viset e ndryshme të botës, me bindje e ngulm luten e punojnë për bashkimin. Zoja e Bekuar, Nëna e Kishës, i ndihmoftë të gjithë besimtarët, në emër të Krishtit, t’i hapin zemrat për komunikim reciprok në dashuri e vërtetësi, për t’u bërë në Jezusin një zemër e vetme e një shpirt i vetëm.”.
Pastaj Benedikti XVI kujtoi se më 25 janar është festa liturgjike e të Kthyemit të Shën Palit Apostull dhe i ftoi besimtarët të marrin pjesë, në orën 17. 30, në lutjet e mbrëmjes, kryesuar prej tij në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, në përfundim të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve:
Pres të vini me shumicë në këtë takim liturgjik, sepse bashkimi arrihet sidomos duke u lutur, e sa më korale të jetë lutja, aq më shumë i pëlqen Zotit”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se dioqeza e Romës kremtonte dje Ditën e Shkollës Katolike, Papa shprehu edhe një here vlerësimin për ata që punojnë në këto shkolla, duke u vënë në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm të njeriut e duke u përpjekur gjithnjë të realizojnë cilësinë e mësimit, lidhur ngusht me detyrën e edukimit.
Së fundi Ati i Shenjtë përshëndeti përzemërisht organizatorët e projektit “Ndërroje lojën”, të cilët në qytetin e Leçes i kanë ftuar fëmijët të heqin dorë nga armët-lojra:“Ju përgëzoj për këtë nismë e dëshiroj ta përhap thirrjen tuaj: t’i ruajmë fëmijët nga sëmundja ngjitëse e dhunës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.