2007-01-20 16:03:17

Problemet kishtare më urgjente të Kishës në Kinë - në qendër të takimit, thirrur nga Papa në Vatikan.


(20.01.2007 RV)Problemet kishtare më të rënda e më urgjente, që kanë të bëjnë me Kishën në Kinë, e para së gjithash problemi i lirisë fetare, ishin sot në qendër të vëmendjes në takimin e thirrur nga Papa mbi këtë argument.
Takimi, që përfundoi sot në Vatikan – sipas njoftimit të një komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - u kryesua nga Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Tarçizio Bertone
Ky takim – vijon të shpjegojë komunikata - u thirr nga Papa Benedikti XVI për ta njohur më thellë situatën e Kishës katolike në Kinën Kontinentale. Në përfundim të paradites, Ati i Shenjtë i përshëndeti pjesëmarrësit në takim, ndërmjet të cilëve përfaqësuesit e episkoptatit kinez (Hong Kong, Makao, Taivan) dhe të atyre që, sipas Selisë së Shenjtë, e ndjekin nga afër çështjen. Diskutimi, që - sipas pohimit të Sallës së Shtypit – preku problemet më të mprehta aktuale, u gjallërua nga sinqeriteti dhe përzemërsia vëllazërore.
Gjatë punimeve, në dritën e historisë së trazuar të Kishës në Kinë e të ngjarjeve më të freskëta të viteve të fundit, u shqyrtuan problemet kishtare më të vështira e më urgjente, që presin zgjidhje në përkim me parimet themelore hyjnore të Kishës e të lirisë fetare. Pjesëmarrësit në takim u njohën, plot mirënjohje, me dëshmitë e ndritshme që kanë dhënë ipeshkvijtë meshtarët e besimtarët, të cilët pa pranuar kompromise, mbetën gjithnjë besnikë ndaj Selisë së Shën Pjetrit, duke e paguar shpesh herë këtë qëndrim me vuajtje të rënda. Me gëzim të veçantë u vërejt se sot pothuajse të gjithë ipeshkvijtë e meshtarët janë të bashkuar me Papën.
Ajo që të habit – nënvizon komunikata e Sallës vatikanase të Shtypit – është rritja numerike e bashkësisë kishtare që, edhe në Kinë, është e thirrur të jetë dëshmitare e Krishtit, të shikojë përpara dhe të përballojë, në kumtimin e Ungjillit, sfidat e reja para të cilave ndodhet sot shoqëria.
Ndërmjet diskutimeve të shumta, gjatë takimit u vu theksi mbi dëshirën për të vijuar ecjen në rrugën e dialogut ndërtimtar, plot respekt, me autoritetet qeveritare, për të kapërcyer së bashku keqkuptimet e së kaluarës. Pjesëmarrësit uruan që të normalizohen sa më shpejt marrëdhëniet në nivele të ndryshme, me qëllim që të krijohen kushtet për ta jetuar në mënyrë paqësore e të frytytshme jetën në Kishë si dhe për të punuar së bashku për të mirën e popullit kinez dhe për paqen në botë. Papa, që u njoftua gjërësisht për propozimet e dala nga takimi – përfundon komunikata – ka vendosur t’u drejtojë një letër katolikëve në Kinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.