2007-01-19 17:38:58

Në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri turk, Papa kërkoi njohjen juridike të Kishës katolike.


(19.01.2007 RV) Sot, në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri të Republikës së Turqisë pranë Selisë së Shenjte, që u prit në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale, Papa uroi t’i sigurohet liria fetare, e garantuar me ligj, pakicës katolike dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet katolikëve e myslimanëve për paqën botërore.
Respekti i Kishës për Islamin dhe i Papës për besimtarët myslimanë, janë dy vlerat që ripohoi sot paradite Benedikti XVI duke pritur në audiencë ambasadorin e ri turk pranë Selisë së Shenjtë, Muhamer Dogan Akdur. Ati i Shenjtë kujtoi shtegtimin e tij apostolik në tokën turke në fund të nëntorit të kaluar dhe i shtrëngoi më tej lidhjet e miqësisë me vendin aziatik, duke kërkuar njohjen e një statusi juridik që i garanton realisht Kishës turke lirinë fetare.
Një muaj e gjysëm pas shtegtimit historik në Turqi, Papa theksoi para ambasadorit të ri turk se është e nevojshme që njerëzit e fesë, të krishterë apo myslimanë qofshin, të kuptojnë se e kanë për detyrë ta dëshmojnë mirëkuptimin e vëllazërinë, ashtu si nuk duhet ta shpërdorojnë në asnjë rast emrin e Zotit:
“Në botën aktuale, ku duket se tensionet acarohen, Selia e Shenjtë ka bindjen se besimtarët e feve të ndryshme duhet të përpiqen të punonjnë së bashku në favor të paqes, duke nisur nga denoncimi i dhunës, që është përdorur tepër shpesh në të kaluarën me pretekste fetare, duke mësuar ta njohin e ta respektojnë më mirë njëri-tjetrin për ndërtimin e një shoqërie gjithnjë më vëllazërore”.
Pasi kërkoi njohjen e statusit juridik, që i garanton realisht Kishës turke lirinë e vërtetë fetare, Papa foli edhe për rolin ndërkombëtar të Ankarasë, duke vlerësuar sidomos punën diplomatike të Turqisë në Lindjen e Mesme dhe në rindërtimin e Libanit të pasluftës.
Përballë tensioneve që vërehen në këto vise të globit, ku stabiliteti nuk ekziston ose është në rrezik, pohoi me forcë Papa, Kisha nuk pushon s’i kujtuari atyre që qeverisin, vlerat më të larta:“Mondializimi i shkëmbimeve, që shihet qartë në nivelin ekonomik e finaciar, – tha në përfundim Benedikti XVI – duhet të shoqërohet me impenjime politike të përbashkëta në nivel planetar, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të organizuar, që nuk e përjashton personin dhe i siguron një ardhmëri të ekuilibruar njerëzve, familjeve e popujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.