2007-01-19 17:51:04

Lajme nga Kisha në botë.


(19.01.2007 RV)Të mërkurën e kaluar në Pallatin e Qelqit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u fol për veprimtarinë e Oasis, qendër ndërkombëtare studimesh dhe kërkimesh me seli në Venedik, që përpiqet të japë ndihmesën për njohjen e anasjelltë të të krishterëve me myslimanët. Takimi u organizua nga Misioni i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në bashkëpunim me Qendrën “Krosrouds” të Nju Jorkut.
Një ditë më parë 30 përfaqësuesit e kësaj qendre, studiues dhe bashkëpunëtorë shkencorë, morën pjesë në ditën e studimeve me temë “Lidhjet e zanafillës ndërmjet Zotit e njeriut në fenë katolike e atë islamike” mbajtur në Vashington nga Patriku i Venedikut, kardinali Agjelo Skola, shoqëruar me çaste lutjesh.
Vdiq misionari francez Robert Kaspar, nxitës i dialogut ndërmjet kristianizmit dhe islamit.
Misionari i njohur i Etërve të bardhë, specialist për islamin, njihet si themelues i Grupit të kërkimeve shkencore islamo-kristiane. Njohës i mirë i disa gjuhëve lindore e përendimore, ai dha mësim në Kairo, në Tuniz e së fundi në Institutin Papnor të Studimeve arabe e të islamisitikës në Romë.
Në Bangkokok të Tailandës përfundoi takimi i ipeshkvit të Padovës, imzot Matiacos, me misionarët venetë fidei donum, që kryejnë misionin ungjillëzues në këtë vend të largët. Janë 11 meshtarë e rregulltare që punojnë pranë popullsisë vendase në dioqezën Çiang Mai në Veri të Tailandës. Misioni i tyre ‘Maria, Mbretëresha e paqes” u themelua në vitin 2000 dhe iu besua dioqezave italiane të Trivenetos.
Në Laos u shuguruan tre meshatrë të rinj vendas. Ngjarje jashtzakonisht e gëzueshme për këtë vend, pas tridhjetë vjetësh persekutimi e mungese thirrjesh për rrugën meshtarake. Bashkësia e vogël katolike e Laosit, që numron 35-40 mijë besimtarë, në mes të një popullsie me shumicë budiste dhe animiste, e festoi me gëzim të madh këtë ngjarje, sepse pas dëbimit të misionarëve të huaj në vitin 1975, Kisha e Laosit vijon ta ndjejë mungesën e meshtarëve e të të varet shumë nga veprimtaria e besimtarëve laikë.
Në Sllovaki Ipeshkvi i Bratisllavë-Trnavës, imzot Jan Sokol, akuzohet për bashkëpunim me sigurimin e shtetit komunist.
Pas çështjes së Imzot Vielgush, edhe në Sllovaki ndizet polemika për përfaqësuesit e Kishës të vënë në shërbim të regjimit të kaluar komunist. Këtë herë në shënjestër të shtypit është vënë kryeipeshkvi i Bratisllavë-Trnavës, i akuzuar si bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta.
Prelati i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Për më tepër, në mbrojtje të tij është radhitur edhe kardinali Korec, figurë historike e Kishës klandestine në Çekosllovaki gjatë viteve të perskeutimit, i cili dëshmon se ipeshkvi i akuzuar ka qenë gjithnjë njeri i padëshiruar për regjimim.
Pak javë më parë Imzot Sokol ishte në qëndër të polemikave për disa deklarata mbi regjimin filo-nazist të imzot Tisò, ish-kryeipeshkëv i Bratislavës, dënuar me vdekje më 1947, në pushtet gjatë Luftës II Botërore. Në një intervistë dhënë tv sllovak, prelati e vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e imzot Tisosë, duke shkaktuar reagime të ashpra në gjirin e bashkësisë hebraike, që u internua në kampet famkëqija naziste nga ky regjim.
Kryedioqezi i Armah në Irlandë nis të kërkojë trupat e viktimave të luftës civile.
Thirrja për gjetjen e viktimave të konfliktit veri-irlandez është e dioqezës së Armahut, me kërkesën e Komisionit të pavarur, themeluar më 1999 për të gjetur trupat e njerëzve të zhdukur. Kjo thirrje është varur në dyert e të gjitha famullive të dioqezës e edhe dioqezat e tjera po ndjekin të njëjtën rrugë, duke e parë këtë veprimtari si vlerë jo politike, por baritore. Familjet e viktimave nuk duan tjetër, veçse trupat e të dashurve, për t’i varrosur denjësisht, por një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë, sepse ekzekutimet u kryen natën e në vende të vetmuara ose të maskuara. Thirrja na kujton se shumë nga dëshmitarët e fesë katolike në Shqipëri, pushkatuar nga regjimi komunist në rrethana pak a shumë të ngjashme, vijojnë të kalben pa varr e pa kryq, në pritje të një varrimi dinjitoz, më e pakta që meritojnë.
Kisha katolike e Sudanit hapi stacionin e parë të radios. Quhet ‘Radio Bakita’ me emrin e Jozefina Bakitës, shenjtja e parë e Sudanit. Radioja, që do të fillojë transmetimet e rregullta më 8 shkurtin e ardhshëm, është vendosur në Juba, kryeqytet i krahinës së pavarur të Sudanit jugor, ku tashmë ka nisur të transmetojë dy orë në ditë.
Jezuitët dhe bashkëpunëtorët e tyre përgatiten të marrin pjesë në Forumin e 7-të Shoqëror Botëror, që do të mbahet në Nairobi të Kenias nga 20 deri më 25 janari i ardhshëm. Do të flitet rreth temës: “Ndryshimet e thella shpirtërore e shoqërore në Afrikë e në Madagaskar”. Pjesëmarrja e jezuitëve në Forum lidhet ngushtë me veprimtarinë apostolike ndërkombëtare të Urdhërit, i cili tani ka vënë në plan të parë pikërisht zhvillimin e plotë të popujve afrikanë, duke punuar në të gjitha drejtimet për zgjidhjen e problemeve të mprehta të Afrikës, si lëvizjet e vazhdueshme të njerëzve, lufta kundër Sidës, zgjidhja e problemeve të luftës e të paqes, të borxhit të jashtëm, të shfrytëzimit të burimeve natyrore e probleme të tjera që lidhen me veprimtarinë konkrete të jezuitëve pranë popullsive afrikane. Vijon kalvari i bashkësisë së krishterë Irak, e posaçërisht në Mosul, ku flitet veç për kërcënime e vrasje. Kronika e këtyre ditëve flet për rrëmbime, frikësime e krime nga më të shëmtuarat. Pak ditë më parë u vra pa asnjë shkak, sekretarja e një klinike mjekësore, ndërsa të nesërmën u mbyt në prag të shtëpisë së vet një besimtar i famullisë së Shën Palit. Edhe kishat janë vënë në shenjestër: famullitarët e kremtuan Krishtlindjen e sivjetme nën një breshëri kërcënimesh, në sa rrugët janë të pasigurta, mungojnë dritat, karburanti, mjetet për t’u nxehur. Të krishterët tashmë janë të bindur se asnjë qeveri s’është në gjendje t’i ndihmojë. Një arsye më shumë për të emigruar. Sipas burimeve të dioqezës, mesatarisht çdo ditë një i krishterë largohet nga qyteti, pa shpresë për t’u kthyer më.
“Çdo lloj ndërhyrjeje në të ardhmen e çdo lloj nisme politike e SHBA në Irak, duhet vlerësuar në dritën e përgjegjësisë morale para Kombit tonë dhe të ketë për qëllim t’i ndihmojë irakianët të jetojnë në siguri e në mënyrë dinjitoze”. Këtë thekson kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA, imzot Uiljam Skilstad në një notë publikuar në Jeruzalem, ku ndodhet këto ditë me delegacionin e Koordinimit të Konferencave ipeshkvnore në mbështetje të Tokës Shenjte. Prelati kujtoi vërejtjet e Selisë Shenjte për ndërhyrjes në Irak, duke pasur parasysh edhe pasojat e mundshme të pandreqshme, parë në dritën e zhvillimeve aktuale. Imzot Skilstad theksoi edhe se SHBA duhet të impenjiohen më shumë për paqën në të gjithë Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.