2007-01-18 19:34:26

Solidariteti i Kishave të dy kontinenteve në Kongresin e parë panafrikan.


(18.01.2007 RV)Të këqijat e Afrikës dhe përgjigja e Evropës përmes solidaritetit të Kishave të dy kontinenteve – është një nga aspektet e trajtuara në Kongresin e parë panafrikan, që vijon në Tanzani.
Vijonë punimet e Kongresit panafrikan mbi ungjillëzimin, që filloi tri ditë më parë në Dar-es-salaam në Tanzani. Dje Benedikti XVI u drejtoi pjesëmarrësve një mesazh, përmes të cilit i porosit të jenë nismëtarë të zellshëm të shpirtit misionar ndërmjet njerëzve dhe të punojnë për edukimin njerëzor e shpirtëror të popullsive të kontinentit.
Por Afrika është edhe toka e problemeve të rënda, të mëdha e urgjente, siç theksoi kryeministri i Tanzanisë në përshëndetjen drejtuar kongresistëve. Prej këndej, edhe urgjenca e bashkëpunimit ndërmjet Kishave. E mbi lidhjet ndërmjet Kishave të Kontinetit të vjetër dhe atyre afrikane, pyetëm imzot Aldo Giordanon, sekretar i Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës:
Përgjigje: - Po ribëj përvojën e rëndësishme që jetuam në nëntor të vitit 2004, kur për herë të parë në histori realizuam një simpozium të rëndësishëm, në të cilin morën pjesë 50 ipeshkvij afrikanë e 50 evropianë. Në këtë seli, ipeshkvijtë e të dy kontinenteve u takuan për të biseduar jo vetëm për Afrikën, por edhe për Evropën, sepse edhe ajo ka problemet e veta, por edhe përvojën që dëshiron t’ia transmetojë vëllezërve të Afrikës.
 Pyetje: - Dje u fol për një nga plagët më të rënda të Afrikës, për Sidën. Ç’ ndihmë mund t’u japin Kishat evropiane atyre afrikane për lehtësimin e kësaj plage?
Përgjigje: - Ne si Kishë kemi një përvojë të gjatë në fushën mjekësore, kemi edhe mjete që mund t’i ndajmë së bashku. Nga ana tjetër, edhe lidhur me këtë temë ne përpiqemi të mësojmë e të përvetësojmë elementet që mund të na ofrojë Afrika. Për shembull, Afrika di ta vlerësojë lart familjen dhe jetën, vlerësim që në Evropë nuk gjindet më. Prandaj, duke shfrytëzuar vlerat që janë në Afrikë së bashku me mjetet e Evropës, besoj se mund ta përmirësojmë gjendjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.