2007-01-18 18:41:51

Sekretarja amerikane e shtetit: të rifillojë punën Kuarteti për Lindjen e
Mesme e lajme të tjera.


(18.01.07 RV) Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolica Rajs dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë diskutuar sot mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, duhet të rifillojë sa më shpejt puna e Kuartetit për Lindjen e Mesme, që përbëhet nga SHBA, Rusia, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja.
Rajs vizitoi Gjermaninë pas turneut në Lindjen e Mesme, i cili kishte për qëllim të mbështesë zgjidhjen për konfliktin izraelito-palestinez. Pas Gjermanisë, sekretarja amerikane e shtetit shkoi në Londër për të informuar kryeministrin britanik Toni Bler. Rajs do të kthehet në Lindjen e Mesme nga mesi i shkurtit, pas takimit të Kuartetit në Nju Jork më 1 dhe 2 shkurt.


Pakistani i ka hedhur poshtë akuzat se lideri taleban Mullah Omar jeton në qytetin Kueta nën mbrojtjen e shërbimeve pakistaneze të zbulimit.

Zyrtarë afganë deklaruan dje se këtë e ka pohuar zëdhënësi i talebanëve Muhamad Hanif, gjatë një hetimi nga agjentët afganë.


Irani është gati të përballojë bashkësinë ndërkombëtare me çdo mjet. Presidenti iranian Ahmadinexhad, i sapokthyer nga një turne në Amerikën Latine, përsëriti se sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk do ta ndalojnë programin bërthamor të Teheranit. Ai kritikoi opozitën e brendshme, e cila “po përsërit parrullat e armikut”, sipas tij.


Shesin një veshkë në këmbim të 50 mijë rupive (rreth 900 euro). Është ky fati i grave indiane të shtetit Tamil Nadu, në gjirin e Bengalas, ku tsunami i vitit 2004 shkatërroi çdo gjë. Shpesh me paratë e fituara në këtë mënyrë lahen borxhet e varfërisë. Shumë prej grave janë shtrënguar të marrin rrugën e protitucionit për të mbijetuar e për të rritur fëmijët.







All the contents on this site are copyrighted ©.