2007-01-18 18:41:39

Kritika bipartizan për strategjinë e Bush-it mbi Irakun.


(18.01.07 RV) Intensifikohen kritikat bipartizan kundër strategjisë së re të presidentit amerikan Bush mbi Irakun. Dy Senatorë demokratë dhe dy republikanë kanë paraqitur një rezolutë të përbashkët, e cila do të diskutohet javën që vjen.
"Nuk është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që ta thellojnë angazhimin e tyre ushtarak në Irak, sidomos duke rritur numrin e trupave". Nëse miratohet në Senat, rezoluta nuk mund të kthehet në ligj, por mund të shkaktojë përplasjen ndërmjet presidentit dhe Kongresit për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Irakut. Ndërkaq, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou deklaroi sot se presidenti Bush do t'i vazhdojë planet për dërgimin e trupave shtesë në Irak, me ose pa mbështetjen e Kongresit.


Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t'i pajisin forcat irakiane me armë të mjaftueshme. Maliki la deklaruar për gazetën britanike "The Times", se brenda 6 muajve, Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë reduktimin e trupave të tyre, nëse i pajisin si duhet forcat irakiane, që të mund të kujdesen për sigurinë. Ndërkaq, sot 5 autobomba që shpërthyen brenda tri orësh në Bagdad, shkaktuan vdekjen e së paku 19 personave. Në atë që duket si operacioni i parë serioz kundër së ashtuquajturës Ushtri e Mehdive, kryesuar nga kreu shiit Moktada Al Sadr, janë arrestuar rreth 400 vetë.


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun ka deklaruar se presidenti amerikan Xhorxh Bush ka kërkuar rritjen e pranisë së Kombeve të Bashkuara në Irak, por shtoi se kjo do të kushtëzohet nga gjendja e sigurisë në vend. Sekretari i OKB-së u takua këtë javë me presidentin Bush.







All the contents on this site are copyrighted ©.